Komisioni Evropian ka propozuar rregulla të reja për kufizimin e aksesit të fëmijëve në rrjetet sociale, me synimin për të rritur sigurinë dhe mirëqenien e tyre në internet.
Sipas propozimit, fëmijët nën 13 vjeç nuk do të lejohen të përdorin platformat e mediave sociale, ndërsa të rinjtë nga 13 deri në 15 vjeç do të mund t’i përdorin ato përmes “mini-llogarive”, të lidhura me llogarinë e prindit ose kujdestarit. Koha e përdorimit do të kufizohej në një orë në ditë.
Vetëm personat 15 vjeç e lart do të mund të krijojnë llogari të pavarura në rrjetet sociale.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se masat synojnë t’u japin prindërve më shumë kontroll dhe mjete për të mbrojtur fëmijët në mjedisin online.
“Shumë fëmijë po ekspozohen shumë herët ndaj një bote online në të cilën nuk janë gati të lundrojnë”, tha von der Leyen, duke përmendur ndër të tjera bullizmin online dhe pasojat afatgjata të përmbajtjeve të publikuara në internet.
Propozimi parashikon gjithashtu që platformat të zbatojnë parimin e “sigurisë që në dizajn” për të gjithë përdoruesit nën 18 vjeç. Kompanitë do të duhet të paraqesin plane të detajuara për sigurinë e fëmijëve dhe të shmangin elementet që mund të nxisin varësinë ose sjellje të dëmshme.
Verifikimi i moshës pritet të kryhet përmes aplikacionit të verifikimit të moshës të BE-së.
Masat e propozuara vijnë në një kohë kur disa vende anëtare, përfshirë Francën dhe Spanjën, kanë ndërmarrë ose kanë paralajmëruar masa të veçanta për kufizimin e përdorimit të rrjeteve sociale nga të miturit.
Komisioni Evropian ka marrë gjithashtu në konsideratë modelin australian, ku platformat kryesore të rrjeteve sociale janë kufizuar për personat nën 16 vjeç. Zbatimi i këtij modeli në Australi ka hasur vështirësi, ndërsa autoritetet kanë pranuar se një pjesë e të miturve vazhdojnë të kenë akses në platforma.
