Truri është pikërisht ai motori i cili na vë ne në funksion dhe normalisht kërkon “ushqim”.
Një nga ushqimet kryesore të trurit është dhe gjumi, për të cilin foli dhe neurologu Maren Ruka, në emisionin “Shije Shtëpie”, në Tv Klan.
Ai fillimisht sqaron se pagjumësia kronike është një dëmtues i rëndë i shëndetit të trurit. Ky proces i bërë në orët e natës, ndihmon në vetëpastrimin nga toksinat e akumuluara gjatë ditës. Ndërkohë, gjumi i drekës nuk mund të japë të njëjtin funksion si ai i darkës.
“Njerëzit nuk e konsiderojnë por pagjumësia kronike është një nga faktorët që dëmton shumë trurin”.
“Në fazën e gjumit të thellë truri bën një vetëpastrim. Pra qelizat nervore bëjnë një vetëpastrim nga toksinat e akumuluara gjatë ditës. Në vetvete, neuronët për shkak të funksioneve metabolike grumbullojnë substanca të cilat duhen eliminuar dhe dihet që ky pastrim ëm i madh ndodh gjatë gjumit të thellë dhe gjumit të natës. Pra janë dhe këto diferenca. Një njëri që punon, ka një profesion që gjatë natës si të thuash rri zgjuar e fle gjatë ditës, nuk ka të njëjtën pastrim, nuk ka të njëjtën po themi efekt pozitiv mbi shëndetin e trurit”, tha ai.
Teksa Ruka e cilëson gjumin e natës të pazëvendësueshëm, pasi ndikon dhe tek hormonet. Rëndësi ka që të evitohen ushqimet që janë të dëmshme për trurin. Mund të përmendim ëmbëlsirat, pijet me sheqer apo ato energjike, apo dhe ushqimet e procesuara.
“Gjumi natës është ai që nuk zëvendësohet. Pra ai që është në orar biologjik. Ka shumë funksione, qoftë hormonale e të tjera e të tjera. Nuk po ndalemi se është tematikë e gjerë, lidhet me gjëndrën pineale, lidhet me hormonet që sekretohen që kanë ritëm cirkadian. Por është shumë e madhe sasia e neurotoksinave që ne ekspozohemi gjatë ditës që nuk e dimë. Përmes gjumit mund të bëjmë një pastrim por gjithsesi duhen evituar ato ushqime që janë të dëmshme për trurin”, theksoi neurologu.
