Gjykata speciale në Hagë hedh poshtë mundësinë e zhbërjes së saj nga Kuvendi i Kosovës.
Përmes një reagimi për Radio Europa e Lirë zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës në Hagë, Chris Bennett, tha se ky institucion nuk komenton hollësitë e ndonjë hetimi dhe vendimin, apo se kur do të përfundojë mandati i saj.
Sipas tij mandati i kësaj gjykate do të vazhdojë për aq kohë sa Bashkimi Europian do të vlerësojë se hetimet dhe gjykimet për çështjet që kjo gjykatë mbulon kanë përfunduar.
“Mandati i Zyrës së Prokurorit të Specializuar vazhdon derisa Këshilli i Bashkimit Evropian t’i njoftojë institucionet e Kosovës se hetimet dhe çdo procedurë që rrjedh prej tyre kanë përfunduar”, tha zëdhënësi i ZPS-së, Chris Bennett.
Debati për mundësinë e zhbërjes së kësaj gjykate lindi pas vendimit të 16 shtatorit të shkallës së parë që dënoi me 81 vite burg katër ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.
Ky vendim u përball me kundërshti të mëdha në Kosovë, duke shtuar zërat për zhbërjen e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Kjo kërkesë u artikulua në mënyrë të qartë edhe në protestën e së premtes në Prishtinë.
Madje duke e konsideruar si vendim të padrejtë dhe të pabazuar në fakte, disa deputetë të PDK-së në Kuvendin e Kosovës kërkuan të mbahet një seancë për zhbërjen e Speciales.
Por kryetari i kësaj partie, Bedri Hamza tha se kjo forcë politike nuk kërkon zhbërjen e Gjykatës Speciale, por përshtatjen e saj me një situatë të re.
