Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Sa’ar, vizitoi sot Tiranën për një vizitë zyrtare, ndërsa dy vendet nënshkruan Marrëveshjen për Bashkëpunimin e Përgjithshëm, duke zgjeruar partneritetin mes tyre.
Gjatë takimit me kryeministrin Edi Rama, Sa’ar vlerësoi lidershipin e tij dhe e cilësoi si një nga liderët më të spikatur në botë. Në një reagim në rrjetet sociale, ministri izraelit e përshkroi Ramën si një mik të palëkundur të Izraelit, duke vlerësuar qëndrimin e tij kundër antisemitizmit dhe terrorizmit.
“Kryeministri Rama e ka drejtuar Shqipërinë për 13 vite radhazi dhe, sipas mendimit tim, është një nga liderët më të spikatur dhe më të vlerësuar në botë sot. Ai është një zë i qartë dhe i guximshëm në arenën ndërkombëtare. Gjithashtu, është një mik i palëkundur i Izraelit, i cili na ka qëndruar pranë në kohë të vështira. Ne e vlerësojmë shumë përkushtimin e tij ndaj sigurisë së Izraelit dhe qëndrimin e vendosur kundër antisemitizmit dhe terrorizmit.
Kjo ishte një bisedë e thelluar për forcimin e marrëdhënieve mes vendeve tona, si dhe për situatën në Lindjen e Mesme dhe në Ballkanin Perëndimor. Faleminderit, Edi, për miqësinë tënde të sinqertë dhe për miqësinë e thellë të Shqipërisë me Izraelin!”, shkroi Gideon Sa’ar në X.
