Prej dy javësh, fermerët fitues të subvencioneve në bujqësi po marrin këstin e parë të parave në bankat e nivelit të dytë. Shpërndarja e fondit për subvencionet në bujqësi parashikohet të përfundojë deri në fund të vitit.
Sektorët kryesorë në Fier që kanë përfituar mbështetje financiare nga shteti janë perimet në sera, mbarështimi i gjedhëve dhe agropërpunimi.
Këtë vit aplikuan për subvencione mbi 9 mijë fermerë, nga të cilët përfituan afërsisht 7 mijë. Bashkimi i fermerëve për të plotësuar kriteret e sipërfaqeve për subvencionimin e të mbjellave ka bërë që numri i përfituesve të rezultojë më i ulët se vitin e kaluar.
Megjithatë, specialistët e Drejtorisë së Bujqësisë në Fier shpjegojnë se shifrat tregojnë vetëm numrin e aplikimeve, ndërsa numri real i fermerëve përfitues është më i lartë, pikërisht për shkak të bashkimit të tyre, ku një aplikim i vetëm mund të përfaqësojë nga dy deri në pesë fermerë.
