Shqipëria ka fituar me rezultatin e pastër 2-0 përballë Finlandës, në ndeshjen e vlefshme për Grupin C1 të Ligës së Kombeve, e zhvilluar në stadiumin “Air Albania”.
Kuqezinjtë kanë siguruar tri pikët falë golave të Ernest Muçit dhe Rey Manajt, nga një në secilën pjesë të lojës.
Ernest Muçi zhbllokoi rezultatin në minutën e 35-të të pjesës së parë, me një goditje spektakolare nga jashtë zonës. Sulmuesi kontrolloi topin dhe goditi me të jashtmen, duke e dërguar në cepin e portës finlandeze.
Në minutën e 50-të, Shqipëria dyfishoi avantazhin me Rey Manajn. Sulmuesi u shkëput në qendër të zonës mes dy mbrojtësve kundërshtarë dhe goditi saktë me kokë, pas një krosimi të Elseid Hysajt.
Një moment i rëndësishëm i takimit ishte minuta e 67-të, kur Finlanda mbeti me një lojtar më pak pas kartonit të kuq të marrë nga Tenho për një faull të rëndë ndaj Muçit.
Në minutat e mbetura, kuqezinjtë administruan avantazhin, ndërsa Daku arriti të dërgonte topin në rrjetë në minutën e 83-të, por goli u anulua pasi topi kishte kaluar më parë vijën fundore.
Me këtë fitore, Shqipëria mbyll me sukses përballjen ndaj Finlandës në “Air Albania”.
