Kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot më 17 nëntor modelin e ri të Prokurimeve të Përqendruara, duke paralajmëruar një reformim të thellë të sistemit të prokurimit publik, ku rol kryesor do të ketë inteligjenca artificiale përmes ministres Diella.
Sipas Ramës, modeli i ri synon të rrisë transparencën, të garantojë më shumë siguri, të ulë kostot për bizneset dhe të eliminojë burokracitë, që shoqërojnë aktualisht procedurat e tenderimit.
Gjatë prezantimit, kreu i qeverisë tha se Shqipëria synon që ky model të përmbushë standardet e Bashkimit Europian, por njëkohësisht të shërbejë si shembull edhe për vendet e rajonit. Ai theksoi se përfshirja e inteligjencës artificiale do ta bëjë procesin më të saktë dhe transparent, ndërsa njoftoi ndërtimin e një sistemi të ri elektronik, unik për prokurimet publike. “Ne kemi një ambicie që të jetë një kapitull i përmbushur në procesin e standardeve të BE-së, por të jetë edhe një model që është shembull për rajonin dhe më gjerë”, deklaroi Rama.
Një nga ndryshimet kryesore, sipas kryeministrit, do të jetë eliminimi i dokumentacionit, që bizneset duhet të mbledhin për të marrë pjesë në tendera. Ai shpjegoi se informacionet dhe të dhënat që lidhen me secilën kompani do të sigurohen përmes Diellës, e cila do të ndërveprojë me më shumë se 40 regjistra publikë.
“Asnjë biznes nuk do të detyrohet të mbledhë letra lart e poshtë, që të dorëzojë ofertë për prokurim publik”, u shpreh Rama, duke shtuar se kjo procedurë do të kursejë kohë dhe do të shmangë pengesat administrative për sipërmarrjen vendase dhe të huaj.
Rama bëri të ditur se inteligjenca artificiale do të përfshihet edhe në hallka të tjera të procesit, përfshirë llogaritjen e fondeve limit dhe shqyrtimin teknik të ofertave. Sipas tij, Diella do të ofrojë zgjidhje përmes algoritmeve inteligjente, duke mbikëqyrur procedurat dhe duke synuar rritjen e saktësisë së tyre.
“Ne hyjmë në një proces të thellë të reformimit të prokurimit publik, me standardet më të mira të BE-së”, deklaroi kryeministri, duke konfirmuar se puna për ndërtimin e sistemit të ri të Prokurimit Publik do të nisë shumë shpejt.
