Momente paniku janë regjistruar gjatë koncertit të reperit amerikan Don Toliver në Co-op Live Arena të Mançesterit, pasi një substancë e panjohur u përhap në turmë, duke shkaktuar shqetësime shëndetësore te dhjetëra pjesëmarrës dhe evakuimin e sallës.
Sipas autoriteteve lokale, në koncert ndodheshin rreth 12 mijë persona. Një person u transportua me urgjencë në një spital lokal, ndërsa dhjetëra të tjerë morën ndihmë mjekësore.
Policia e Mançesterit të Madh shpalli gjendjen e emergjencës pak pas orës 22:00 të së dielës, pas raportimeve se disa spektatorë kishin filluar të ndiheshin keq nga një substancë e panjohur, e cila fillimisht dyshohej se mund të ishte gaz lotsjellës.
Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale tregojnë skena paniku, me njerëz që vrapojnë drejt daljeve, kolliten dhe mbulojnë fytyrat në përpjekje për t’u larguar nga ambientet e koncertit.
Në një deklaratë të publikuar pak pas orës 02:00 të mëngjesit të së hënës, autoritetet konfirmuan se evakuimi i stadiumit kishte përfunduar me sukses.
Disa persona morën trajtim mjekësor në vendngjarje për shkak të simptomave të shkaktuara nga ekspozimi i mundshëm ndaj substancës së panjohur.
Koncerti i Don Toliver u zhvillua në kuadër të turneut të tij “Nitrous”. Reperi amerikan ka të planifikuar gjithashtu performanca në O2 Arena të Londrës të hënën dhe në OVO Arena Wembley të martën.
