Kuvendi do të mblidhet sot në një seancën e radhës plenare ku në fokus do të jetë miratimi i projektbuxhetit të vitit 2027 dhe paketës fiskale që e shoqëron atë. Seanca do të nisë në orën 10:00.
Në seancën sotme do të kalojnë për shqyrtim edhe dy aktet normative të qeverisë të 28 tetorit, për ndryshimet në ligjin për tubimet dhe dëmshpërblimin e subjekteve të prekura nga aktet e dhunshme gjatë protestave.Partia Demokratike propozoi dje 28 amendamente, që sipas saj, përmbysin tërësisht ndarjen që qeveria parashikon t’i bëjë buxhetit prej më shumë se 10 miliardë euro.
28 amendamentet, kanë në fokus rritjen për pagat e ulëta e të mesme, më shumë para për pensionet. PD insiston që TVSH 6% për ushqime dhe produkte të tjera bazë, të bëhet edhe për ujin dhe energjinë.
Edhe Partia e Lirisë prezantoi 12 amendamentet e saj përmes 4 paketave: rinisë, prodhimit vendas, sigurisë dhe mbështetjes sociale.
Në axhendën e Kuvendit janë përfshirë gjithashtu projektligjet për tregjet e kriptoaseteve, donacionet dhe sponsorizimet, mbikëqyrjen shtesë të institucioneve financiare, kontabilitetin në sektorin publik dhe kontrollin e punimeve të ndërtimit.
Deputetët do të shqyrtojnë edhe projektligjin për ngritjen e Liceut Francez të Korçës, si dhe një shtesë në përbërjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të reformës administrativo-territoriale
