Një agjenci qeveritare holandeze njoftoi se 26 breshka “shumë të rralla” janë sekuestruar nga bagazhet e regjistruara të një udhëtari në aeroportin Schiphol të Amsterdamit.
Autoriteti Holandez për Sigurinë e Ushqimit dhe Produkteve të Konsumit bëri të ditur se një burrë, i cili po udhëtonte nga Meksika për në Hong Kong përmes këtij aeroporti, u arrestua të shtunën pasi oficerët doganorë gjetën breshkat e llojit breshka balte të Vallartës.
Kjo specie e rrezikuar, që mendohet të jetë lloji më i vogël i breshkave të ujërave të ëmbla në botë, me një gjatësi maksimale prej rreth 10 cm, ishte mbështjellë me shirit ngjitës për t’u pamundësuar lëvizjen.
Sipas NVWA-së, breshkat “me gjasë janë vjedhur” nga natyra në vendin e tyre të origjinës, Meksikën.
Agjencia theksoi se shumica e breshkave u gjetën brenda një kutie së bashku me një makinë lodër, ndërsa të tjerat ndodheshin në një çorape të mbyllur, brenda një valixheje.
Personi i arrestuar ndodhet në paraburgim dhe është duke u zhvilluar një hetim. Ndërkohë, breshkat po marrin kujdesin e duhur në një “strehimore të specializuar”, njoftoi NVWA.
Në vitin 2025, organizata joqeveritare amerikane “Turtle Island” vlerësoi se në natyrë kishin mbetur jo më shumë se 300 breshka të llojit “Vallarta mud turtle”.
