Lëngje frutash, pije energjike dhe kripë që nuk përmbushin kriteret e sigurisë dhe nuk janë të përshtatshme për konsum janë ndaluar të hyjnë në vendin tonë nga AKU në pikat kufitare të Morinës, Hanit të Hotit dhe Durrësit.
Kështu 20.4 ton lëngje frutash që ishin nisur nga Serbia për tu shitur në Shqipëri u konstatuan se nuk përmbushnin kërkesat ligjore të sigurisë ushqimore për jetëgjatësinë. Këtyre produkteve i’u kishte mbetur afat përdorimi më pak se gjysma e jetëgjatësisë, për rrjedhojë nuk plotësonte kërkesat ligjore. Për këtë arsye, AKU ndaloi hyrjen e mallrave në Shqipëri dhe urdhëroi kthimin e ngarkesës në vendin e origjinës.
Ndërkaq, 2.7 ton kripë e Himalajave që vinte nga Maqedonia u bllokua pasi u konstatua se produkti kishte mangësi në dokumentacionin shoqërues. Kripa nuk ka raport-analizë të vlefshme për nivelin e jodit si dhe etiketa nuk përcakton saktësisht përmbajtjen e jodit. Për rrjedhojë, AKU ndaloi futjen e këtyre produkteve në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe urdhëroi kthimin e saj në vendin e origjinës.
Në Hanin e Hotit u ndaluan 4043 kg pije energjike Red Bull që vinte nga Rumania, pasi produkti nuk plotësonte kërkesat ligjore të importit, kishte mangësi në dokumentacionin shoqërues. AKU bllokoi fillimisht ngarkesën dhe i kërkoi subjektit plotësimin e dokumentacionit shoqërues. Pas kalimit të afatit kohor për plotësimin e mangësive në dokumentacion dhe në kushtet kur subjekti nuk paraqiti dokumentacionin e nevojshëm për të garantuar sigurinë e produktit sipas kërkesave ligjore të importit, AKU urdhëroi kthimin e produktit në vendin nga ku është importuar.
Ndërsa në Durrës u ndalua një ngarkesë me 21 ton kripë, një produkt që vinte nga Gjermania e që rezultoi se etiketa e produktit kripë nuk përmbante të dhënat kryesore si: niveli i jodit, data e skadencës dhe e prodhimit. Për këto arsye, AKU vendosi masën administrative “Bllokim Produkti” për sasinë 21 ton kripë dhemasën administrative “kthim në vendin e origjinës ” së produktit.