Zv. ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli ka reaguar pas lajmit që qarkulloi në media se është mbyllur spitali COVID4.
Kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve sqaroi se pavarësisht rënies së ndjeshme të numrit të shtrimeve, spitalet hapen dhe mbyllen me urdhra dhe nuk ka asnjë urdhër për mbylljen e spitalit COVID-4.
Nisur nga mbërritja e dozave të tjera të vaksinave ditën e djeshme, Rakacolli tha se politika kryesore e vaksinimit lidhet me grupmoshat dhe grupet e rrezikut.
“Ne do të vazhdojmë me mbarimin e grupmoshave mbi 70 vjeç dhe besoj që javën tjetër do të ulet grupmosha,” – tha zv. ministrja.
Ndërkaq sa i takon imunitetit të tufës, ajo theksoi se kjo ndodh kur arrin imunitetin mbi 70% e popullsisë gjë që për momentin nuk është duke ndodhur në Shqipëri.
Masat kufizuese nuk do të kenë asnjë lloj lehtësimi dhe të gjitha vendimet e reja do të merren në varësi të numrit të të infektuarve, sqaroi Rakacolli.
