Ish-kryeministri Sali Berisha u shpreh se dhënia e dorëheqjes së Bashës është çështje individuale.
Berisha shtoi se nuk mbështet asnjë kandidat për kreun e PD-së, por u bëri thirrje demokratëve që të mbajnë dinjitetin e garës në PD.
“Kjo është çështja e individit, por kjo pyetje nuk mund t’i bëhet dikujt që e ka dhënë dorëheqjen. Për mua shekullin e shqiptarëve e përmbys droga, krimi dhe pazaret me territoret. Kur e shndërron vendin në delen e zezë duke e quajtur Shqipërinë narko-shtet dhe qendër të krimit Evropian, aq sa kërkojnë heqjen e vizave. Koha ecën pas dhe para.
Unë nuk preferoj asnjë kandidat dhe u bëj thirrje demokratëve që të bëjnë gjithçka për dinjitetin e kësaj gare sepse është në interesin më të mirë të PD-së që të dalë faqebardhë. Unë nuk ndërhyj për asnjë kandidat”, tha Berisha për Ora News.
Berisha tha se mbeti i habitur nga vendimi unanim i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike për të nisur fushatën zgjedhore për kreun e kësaj partie.
Ai theksoi se për shkak të vendimit unanim të Këshillit Kombëtar, vendosi që të mos shprehet në lidhje me procesin zgjedhor për kreun e PD-së.
“Nuk kam qenë kundër as të parës dhe as të dytës, por një votim të cilin e voton Këshilli Kombëtar, si ata që kërkonin dorëheqjen e Bashës, por edhe ata që mbronin vazhdimin e kryetarit, atëherë unë në këtë rast preferova që të hesht. Sepse vendimi ishte unanim.
Kam mbetur i habitur nga votimi unanim i Këshillit Kombëtar për të filluar fushatën zgjedhore në parti. Detyra kryesore për mua ishte faktimi i batërdisë elektorale para shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar. Ky ishte detyrimi. E kam shkruar që në fillim, padiskutim duhej bërë një analizë serioze e të gjithë veprimtarisë së Partisë Demokratike. Nuk kam qenë kundër as të parës dhe as të dytës, por një votim të cilin e voton Këshilli Kombëtar, si ata që kërkonin dorëheqjen e Bashës, por edhe ata që mbronin vazhdimin e kryetarit, atëherë unë në këtë rast preferova që të hesht. Sepse vendimi ishte unanim”, tha Berisha.
