Maqedonia sot është në ditën e dytë të zisë, pas fatkeqësisë së autobusit që shkaktoi 14 viktima, dy ditë më parë në autostradën Shkup-Tetovë.
Viktimat janë identifikuar dhe ka përfunduar edhe ekspertiza në vendin e fatkeqësisë, ndërkohë që dhe autobusi është dërguar për ekspertizë. Aktualisht po punohet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit të rëndë.
Nga të dhënat e deritanishme u konfirmua se autobusi është bërë pjesë e linjës së transportit në vitin 2001, ndërsa për herë të fundit u regjistrua në janar të vitit 2019. Mendim duhet të dorëzojë edhe Byroja për ekspertizë gjyqësore.
Analiza e gjakut dhe urinës tek shoferi, i cili ishte i hospitalizuar për shkak të lëndimeve, ka treguar se në momentin e fatkeqësisë te ai nuk u regjistrua prani e alkoolit, ilaçeve ose substancave psikotrope. Në mënyrë shtesë do të konfirmohet nëse në momentin e fatkeqësisë e ka përdorur celularin.
“Durmo turs”, megjithatë, duhet të parashtrojë dokumentacion të plotë për lejet që i posedon për transport publik, për mirëmbajtjen e automjeteve, numrin e udhëtarëve dhe biletave të shitura në autobus, si dhe të dhëna për kohën e punës dhe relacionet të cilat i ka kaluar shoferi në ditën kritike.
Prokuroria ka paralajmëruar vendim për sigurimin e të gjitha dëshmive, dokumentacionin e plotë relevant, protokollet e autopsisë, dokumentacionin mjekësor për lëndimet e udhëtarëve tjerë, raportet për ekspertizat e ardhshme, marrjen në pyetje të shoferit, të udhëtarëve në autobus dhe dëshmitarëve të ngjarjes.
