Tashmë që 14 Maji është përcaktuar si data e votimit për të zgjedhur pushtetin vendor, topi kalon në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve i cili do duhet të nisë përgatitjet për hartimin e rregullave për këtë proces si dhe blerjen e bazës materiale.
Ndërkohë, në kodin zgjedhor janë përcaktuar dhe afatet zgjedhore. Partitë politike apo koalicionet do duhet të bëjnë regjistrimin 60 ditë para zgjedhjeve, ndërsa kandidatët 50 ditë para.
Kodi parashikon se partitë që formojnë koalicion të paraqesin një listë të veçuar me kandidatë dhe një listë tjetër të këshillave bashkiakë. Kjo pikë do të jetë një element i rëndësishëm për opozitën, e cila duket se do të bashkojë forcat në garën e 14 Majit. Emrat në të dyja listat do të dëshmojnë peshën elektorale të partive opozitare.
Nisjen zyrtare të fushatës kodi zgjedhor e parashikon 30 ditë para zgjedhjeve, ndonëse partitë politike kanë ndezur motorët; PS me takime në cdo qytet të Shqipërisë, të cilat janë konceptuar si biseda me qytetarët por përmbajtja e mesazheve nuk ka shumë ndryshim nga takimet elektorale.
Ndërsa Sali Berisha fokusin e ka te organizimi i bazës, në mënyrë që nëpërmjet procesit të primareve, deri në muajin dhjetor të ketë listën e kandidatëve garues.
Ndryshe nga zgjedhjet vendore, kodi zgjedhor nuk parashikon ndalime për partitë politike për mënyrën se si duhet ta bëjnë fushatën, por komisioni qendror i zgjedhjeve i ka bërë disa kërkesa komisionit të posacëm të reformës zgjedhore që të ndalohet përdorimi i pushtetit për qëllime elektorale.
Në një intervistë për Klan Neës, bashkëkryetari i PS në këtë komision tregon se cilat janë disa nga pikat që do adresohen deri në 14 Maj.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të ketë një fond prej 18 milion lekësh në dispozicion. Votimi elektronik që në zgjedhjet e fundit u aplikua në Vorë, synohet të shtrihet në 7 bashki të tjera.
