Mesnatën e 23 prillit skadoi dhe afati i parashikuar në Kodin Zgjedhor për regjistrimin e partive për zgjedhjet vendore të 30 qershorit.
Të regjistruar janë 35 parti politike, ku e vetmja forcë e madhe është Partia Socialiste, ndërkohë që janë regjistruar dhe tre parti që kanë qenë aleatë të PD-së.
Me skadimin e afatit për regjistrimin e partive politike, tanimë fillon përllogaritja e një mundësie tjetër për forcat politike, që synojnë të garojnë për zgjedhjet bashkiake. Kodi Zgjedhor ka parashikuar një afat tjetër kohor për regjistrimin e koalicioneve në zgjedhje, që mund të jetë edhe mundësia e fundit për partitë, të cilat nuk kanë mundur të paraqiten në kohë pranë KQZ-së.
Neni 65 i Kodit Zgjedhor flet për regjistrimin e koalicioneve në zgjedhje, ku thuhet se: “Dy ose më shumë parti politike të regjistruara si subjekte zgjedhore në KQZ, sipas nenit 64 të këtij Kodi, mund të regjistrohen në KQZ si koalicion zgjedhor në shkallë vendi, jo më vonë se 60 ditë përpara datës së zgjedhjeve. Partia politike pjesëmarrëse në një koalicion nuk mund të marrë pjesë në një koalicion tjetër dhe as të paraqesë kandidatë apo listë shumemërore kandidatësh jashtë koalicionit ku ajo bën pjesë”.
Kësisoj, sipas kësaj pike, afati i fundit për t’u regjistruar është dita e parë e muajit maj, datë që edhe kjo përkon në kalendarin e festave zyrtare. Praktikisht, koalicionet zgjedhore do të kenë afat të fundit datën 2 maj për t’u bërë pjesë e procesit zgjedhor për zgjedhjet vendore të 30 qershorit. Nga kampi i majtë, të gjitha partitë deri tani janë futur më vete në zgjedhje, duke mos u paraqitur ende në KQZ si një grupim politik në formën e koalicioneve. Ndërsa nga kapi i djathtë është formalizuar një marrëveshje koalicioni, por kërkohen plotësimet e kushteve të tyre për t’u bërë pjesë e procesit zgjedhor.
PARTITE E REGJISTRUARA NE ZGJEDHJE
Partia Socialiste e Shqipërisë
Partia e Gjelbër
Partia Kombëtare Konservatore Albania
Partia Kristian Demokratike
Partia Aleanca Demokristiane e Shqipërisë
Partia Socialiste e Moderuar
Partia Uniteti Kombëtar
Partia e Emigracionit Shqiptar
Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Punëtorëve të
Shqipërisë
Partia Personat me Aftësi të Kufizuar
Partia Lëvizja Punëtore Shqiptare
Partia Komuniste e Shqipërisë
Partia Zgjidhja
Partia Demokracia Sociale
Partia Ligj dhe Drejtësi
Partia e të Drejtave të Mohuara
Partia Demokracia e Re Europiane
Partia Aleanca për Barazi dhe Drejtësi Europiane
Partia Demokratike për Integrim dhe Prosperitet
Partia Ardhmëria Shqiptare
Partia Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen
Partia Aleanca Demokratike Shqiptare
Partia për Liri, Demokraci dhe Etikë
Partia Socialpunëtore Shqiptare
Partia Socialdemokrate Shqiptare
Partia për Demokraci dhe Solidaritet
Partia Bashkimi Demokrat Shqiptar
Partia Ora e Shqipërisë
Partia Bashkimi Liberal Demokrat
Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Emigrantëve
Partia e Reformave Demokratike Shqiptare
Parti Pajtimit Kombëtar Shqiptar
Fryma e Re Demokratike
Lista e Barabartë
Partia Bindja Demokratike
