Afganët e nisur nga Kabuli që duhej të mbërrinin këtë të diel në Shqipëri janë në bazën ushtarake amerikane të Ramstein në Gjermani.
Ramstein është një nga bazat më të mëdha të ushtrisë amerikane jashtë SHBA, që është transformuar në një qendër tranziti të shtetasve të huaj dhe afganëve që largohen nga Afganistani deri në zhvendosjen e tyre për në SHBA.
“Ky është operacioni ajror më i madh dhe më i rrezikshëm i evakuimit në histori”, deklaroi Presidenti amerikan Joe Biden të premten.
SHBA ka vendosur si objektiv evakuimin e 9 mijë personave në ditë për të realizuar objektivin e zhvendosjes së plotë të shtetasve të huaj dhe afganëve që kanë bashkëpunuar me forcat e NATO-s brenda 31 gushtit.
Por, objektivi duket i parealizueshëm. Sipas CNN mes Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara, të evakuuarit do të qëndrojnë nga 48-72 orë në bazën ajrore të Ramstein dhe jo më shumë. Më pas, një pjesë e tyre do të zhvendosen në shtete të ndryshme të botës, siç është ofruar edhe Shqipëria, për mbajtjen e përkohshme të tyre, ndërkohë që destinacioni final do të jenë SHBA.
Numri i afganëve që do të strehohen përkohësisht në Shqipëri është i paqartë, por në intervistat për mediat ndërkombëtare, Kryeministri Edi Rama ka deklaruar një shifër nga 1200 deri në 3000 të tillë.
