Në Aeroportin e Rinasit, Edi Rama po ndërton grackën e re të propagandës. Ai ka interes të flitet sa më pak për ngjarjen e bujshme, që u bë lajm në të gjithë botën, siç qe grabitja e milionave euro brenda në avion. Ai s’do të flasë për Policinë që ka vdekur, por për ushtarët që marshojnë.
Hera e dytë që i ndodh gjëma atje, në pak vite, ndonëse kësaj here ku e ku më e sofistikuar në cilësi, befasi e sasi, bash atje ku konsiderohej zona më e sigurt e Shqipërisë. Përsëri fajin ia lanë edhe kësaj here Mao Ce Dunit dhe Çu En Lait! Kurrë nuk kemi pasur një qeveri kaq fytyrëshollë e kaq kurajoze në të gënjyer. Pasi është shkallmuar çdo perimetër sigurie, jo vetëm në Rinas, po kudo një operacion i ri për të spostuar vëmendjen ka nisur. Ajo e dërgimit të Forcave Ushtarake për të marrë kontrollin e sigurisë! Edi Rama, siç di ai më mirë se kushdo ta bëjë atë adet, e ka filluar me foto të Londrës, Parisit, New Jorkut, ku duken ushtarët që patrullojnë kudo, një masë kjo tanimë e njohur dhe e pranuar si domosdoshmëri kundër terrorizmit që ka kërcënuar këto vende.
Po kaq, për efekte spektakli nxjerr dritat e makinave ushtarake që mësyjnë aty pari, a thua se ditën nuk shkojnë dot paçka se janë vetëm 500 metra larg nga pista. Por kontrasti drita, natë dhe alarm është i duhuri për të tërhequr vëmendjen në një fakt të ri, që duhet të eklipsojë të parin grabitjen, paaftësinë totale në mosbashkëpunimin e Policisë së Shtetit me kriminelet që bënë grabitjen e shekullit te ne. Kryeministri, i cili Policinë e përdor vetëm kundër grave dhe fëmijëve shtazërisht, siç e demonstroi “beteja” në Breg të Lumit në Tiranë, me urrejtje kundër opozitës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke u vënë prangat me dhjetëra protestuesve, pa llogaritur qerasjen bujare me gaz lotsjellës për të gjithë, kudo tjetër e ka lëshuar territorin në administrim të krimit, të cilin e ka aleat në çdo proces elektoral.
Për kaq i duhet atij Policia për t’i mbrojtur zyrën, Parlamentin, tanimë qesharak e monist dhe opozitën e “re”, duke tentuar të tërheqë në një beteje false atë të “vjetrën”, siç është kjo që po ndodh tek aeroporti “Nënë Tereza”.
Shumë personazhe të profilit të lartë, duke filluar me Sali Berishën, po merren me atë që e quajnë puç kushtetues, pra dërgimin e Ushtrisë rrëzë balonave! Ky term po përdoret kaq shpesh vitet e fundit, sa është zor ta bësh dallimin kur Rama e kryen në të vërtetë atë. Ai fajin paturpësisht për rënien e shtetit të tij ua la kinezëve të ngratë, ndërsa dërgimin e Ushtrisë, një akt i pastër populist ky, po e shet si ngjarjen e madhe të javës që varet prej tij. Ai po thotë: E shihni se çfarë bëj unë kur varet prej meje?! Çoj Ushtrinë dhe e bëj krimin tërbimet, pastaj e ilustron me foto e ngjyra, kamera e intervista mediatike, ku përpiqet të shfaqet si shpëtimtari i një anijeje të mbytur në direkun e së cilës rri vetëm kolltuku i tij mbi ujë. Shumica e qytetarëve përton t’i lexoje ligjet, ka bezdi të merret me Kushtetutën, lodhet të bëjë analiza dhe e gëlltit lajmin e gatshëm e me gjasë ndihet më i sigurt kur e sheh Ushtrinë në Rinas!
Ndaj, opozita nuk duhet të harxhojë shumë energji duke u marrë me Ushtrinë atje, edhe pse mund të ketë të drejtë. Asaj duhet t’i mjaftojë ngjarja e parë, grabitja që ndodh prej paaftësisë së qeverisë nëse ajo vetë(shteti) nuk është i përfshirë në të. Opozita duhet t’u prezantojë qytetarëve rrezikun që i kanoset gjithsecilit, si në Shkodër apo Elbasan. Ajo nuk duhet të lodhet për të liruar 52 të burgosurit e saj politikë të muajit të fundit nga një Polici që nuk është e Shtetit, por e pushtetit! Se puç Edi Rama ka bërë më të mëdhenj se këtë, ai ka lënë vendin pa Gjykatë Kushtetuese dhe të Lartë dhe kjo u bë normalitet. Sistemin e drejtësisë e ka krejt të vetin, institucionet që do duhej të ishin të pavarura po ashtu dhe çdo qytetari kur t’i teket, ai i bën letrat gati.
Dërgimi i ushtarëve në Rinas ngjan një delikatesë nga ato masa populiste që marrin mbështetje. Opozita s’ka arsye t’i japë Kryeministrit betejë në fushën e tij. Ajo le ta vazhdoje atë (betejën) aty ku ai ka dorëzuar armët dhe lënë shqiptarët në dorën e krimit brenda dhe jashtë telave me gjemba të Rinasit, të cilëve çdo hajdut i ngeshëm u bëri munë para se të shkojnë ushtarët! Policia që duam, Ushtria që duam, Rinasi që duam dhe Shqipëria që duam janë në lartësinë e Edi Ramës që kemi./
Panorama
