Close Menu
Tirana News AlbaniaTirana News Albania
  • Kreu
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Rajon&Bota
    • Ekonomi
  • Lifestyle
    • Shëndeti
    • ShowBiz
    • Horoskopi
    • Kulinari
  • OPED
  • Vendi Im
  • Gjurmë
  • Teknologji
  • Sporti
Facebook Instagram
  • Kontakt
  • Politikat e privatesise
Facebook Instagram
Tirana News AlbaniaTirana News Albania
  • Kreu
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Rajon&Bota
    • Ekonomi
  • Lifestyle
    • Shëndeti
    • ShowBiz
    • Horoskopi
    • Kulinari
  • OPED
  • Vendi Im
  • Gjurmë
  • Teknologji
  • Sporti
Abonohu
Tirana News AlbaniaTirana News Albania
OPED

Agron Gjekmarkaj/ “Pse zgjedhjet pa opozitën janë fatkeqësi më e madhe se ’97, Presidenti me një dekret të ri mund t’i shtyjë në vjeshtë sepse…”

14:48 / June 7, 20195 Mins Read
Facebook LinkedIn Email WhatsApp
gjekmarkaj
Share
Facebook LinkedIn Email WhatsApp

Ky qershor ka hyrë i trazuar nga oshtima e ngjarjeve që të bëjnë të mendueshëm, edhe nëse je gazmor prej natyre! Udhëkryqi duket si teposhtë! Kalbësia e korrupsionit na qeras të gjithëve me taftin e tij prej stërvine! Tabloidi prestigjioz gjerman “Bild” i dha status ndërkombëtar asaj që ne dinim dhe pohonim këndej në shtëpinë tonë! Ne pamë sesi krimi hyri në Parlament! E kundruam dhe u çmeritëm! Kryeministri na përqeshte gjithë kukurima e hukama siç di t’i bëjë vetëm ai! Pas zhurmës e poteres që bëri opozita dhe media, doli (elementi kriminal) s’andejmi i gatshëm për hakmarrje, duke mundur 10 me 0 zero kundërshtarët dhe demokracinë si koncept!

U shpërnda anembanë vendit, duke humbur aparencën dhe fituar brendinë! Ai sundon mbi pushtetin tanimë, me zë e figurë! Dikur “Zëri i Amerikës” e tani “Bild” ulëriti sesi bëhet fushata elektorale, si kërcënohen mbështetësit e opozitës, si u jepet “kafeja”, si hiqen gjobat, si komandohen kryetarët e bashkive dhe vetë axhenda e Edi Ramës, si Gjush akullorja u shkri nga një bisedë në tjetrën, duke lënë pas shijen e këllirës që krijojnë histori kësisoj! Zgjedhjet në Shqipëria u grabitkan për shtatë pale qejfe! Gara, platformat, programet e humbasin peshën për t’u lënë vend parave, muskujve, tytave e kërcënimeve ujdhesave shqiptare! Partia e Kryeministrit me gazmend i pret këto ylefe! Ai vetë si Anteu, prej tyre e merr forcën!

Ne të gjithë e dimë, vetë “Ati i Rilindjes”, më i përzhitur se kurrë, e di se pas Durrësit është Dibra, Elbasani, Shkodra, Lezha, Vlora etj. dhe presim që ndonjë gazetë perëndimore të na i nxjerrë! E menjëherë Prokuroria të dalë e të thotë, “mos guxoni t’i botoni së është e paligjshme”, “ne nuk kemi njerëz t’i zbardhim se janë 700 CD” e të tjera çmenduri që pataksin çdo person normal! Ndonëse kjo është patatja më e nxehtë e politikës, dosja “339” e të tjera me numër tanimë epik, Prokuroria vit pas viti, se kaluan dy të tillë, na thotë s’kemi mundësi, ka punë shumë! Të qash e të qeshësh për këtë nivel nënshtrimi ndaj qeverisë! Pastaj me të njëjtën hazerllëk shërbëtorësh, Lej Fenet do dalin e të thonë që imazhi i Shqipërisë nuk prishet se “ishin rrjedhje të paligjshme”! Kur dëgjojnë fraza të tilla, edhe gomarët e Barbullushit sokëllijnë nga marazi dhe duan të emigrojnë diku, ku politikanët nuk kanë guxim kësodore! Ditët po ikin më shpejt se zakonisht, teksa kriza bëhet më e rëndë! Rama ndonëse i plagosur, tek nuk vë mend nga ekspozimi ndërkombëtar i mekanizmit të vjedhjes së zgjedhjeve, do të mbulojë dobësitë me agresivitet, në dukje i vendosur për të shkuar përpara! Por ai e di që hallin e ka të madh si xhenaze në oborr!

Po ashtu, opozita duket më e legjitimuar se kurrë për t’i qëndruar vendimit të saj që të mos ia varë “mëlçitë në qafë ujkut”! Kush mund t’i thotë asaj tashmë, shko në zgjedhje në këto kushte? Deri tani, në horizont shfaqet mundësia e konfrontimit civil! Zgjedhjet pa opozitën do të ishin fatkeqësi më e madhe se viti 1997! Ato do të trazonin paqen sociale për një kohë shumë të gjatë, pa asnjë siguri shërimi të shpejtë! Meqenëse palët janë në pozicione kaq ekstreme, i vetmi që mund të luajë një rol është Presidenti Ilir Meta! Ai ka dekretuar zgjedhje dhe jo votime! Meta dhe kushdo tjetër e di që zgjedhje do të thotë edhe pjesëmarrje e opozitës me garanci konkurrimi! Qeveria dhe KQZ-ja vendosën që përfaqësuesit e opozitës të mos jenë as dëshmitarë të farsës, duke mos i lejuar të bëhen pjesë e KZAZ–ve! Një kusht të tillë zor ta ketë edhe Asadi për opozitën e vet në procesin e paqes që mund të gatitet!

Destabiliteti është pas porte e për këtë nuk duhen shumë hamendje, nëse gjithë sa ndodh! Publikimi i “Bild” krijon një shtysë të fortë, gjithashtu! Presidenti, i cili ka ndërmarrë një sërë aktesh të forta qysh kur është bërë i pari i vendit! E ka bërë Edi Ramën të flasë më vete jo pak herë për hatër të Kushtetutës e herë për qejfin e tij prej skraparlliu të paepur! Pa vonuar këto ditë, ka mundësinë t’u ofrojë palëve një shans duke shtyrë me një dekret të ri, për në vjeshtë, datën e zgjedhjeve.

Gjatë kësaj kohe, hapësira për një marrëveshje politike rritet! Ndërkombëtarët mbase nuk do të brohorasin, por sigurisht edhe ata do të marrin frymë të lehtësuar se 30 qershori nuk do t’u zërë kokën me derë! Ambasadorët do ta pranonin në heshtje vendimin e Presidentit si të vetmen zgjidhje racionale për momentin!

Nëse Kryeministri, edhe pas kësaj tenton të bëjë zgjedhje më datë 30 qershor, Ilir Metës i duhet të firmosë një tjetër dekret, atë të dorëheqjes! Edi Rama kështu mund të udhëtojë drejt historisë i vetmuar, ngarkuar me lavdinë e marrëzisë së vet, peshë e së cilës do t’i përthyejë gjunjët! Dikur pat pagëzuar një aksion kundër lojërave të fatit si “fundi i marrëzisë”, tani fati e vë në pozitat të eksperimentojë marrëzi pa fund!/ PANORAMA

Agron Gjekmarkaj
Share. Facebook Twitter Pinterest LinkedIn Email WhatsApp

Postime te ngjashme

Kur mendimi opozitar “merr malet”

22:35 / July 21, 2026

Rinovimi i PD, si protesta e flamingove

21:33 / July 21, 2026

36 bashki apo më shumë?

15:06 / July 21, 2026

Përpjekja për ta bërë edhe SPAK-un organ të revolucionit

13:06 / July 21, 2026
Add A Comment
Leave A Reply Cancel Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

© 2026 TiranaNews. Te gjitha te drejtat e rezervuara.
  • Kontakt
  • Politikat e privatesise

Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.