Zbulohen detaje të reja nga operacioni antidrogë “The Eye” që çoi në pranga 3 skafistë nga Vlora dhe dy ukrainas që ishin nisur nga Italia me një velierë për t’a ngarkuar më pas me drogë në gjirin e “Arushës”.
Ka qenë Drejtoria e Policisë së Vlorës dhe Policia Kufitare që ia kanë përçuar GDF italiane informacionin për lëvizjen e tre skafeve me drejtues shqiptarë.
Siç shihet edhe nga fotot, në këtë moment helikopteri i Guardia di Finanza ka qenë duke ndjekur edhe shqiptarët, por edhe dy skafistët ukrainas, për të ndërhyrë në momentin e shkëmbimit.
Policia po heton se ku është gjetur veliera dhe kush i ka dërguar në Shqipëri dy shtetasit ukrainas, të cilët kanë deklaruar për autoritet italiane se u është premtuar një shumë monetare për të kryer këtë udhëtim.
Sipas deklarimeve të dy ukrainasve të arrestuar, mjeti lundrues i është “dhënë nga një shtetas italian dhe i ishte thënë “të niseshin drejt Shqipërisë”.

Emrat e të arrestuarve
Policia e Vlorës ka arrestuar në flagrancë 3 vlonjatët Arbër Saraseli, 31 vjeç, Saverjo Imeraj, 22 vjeç dhe Qemal Pekmezi, 19 vjeç.
Ndërsa Guardia di Finanza, në ujërat italiane ka arrestuar në flagrancë dy shtetasit ukrainas Bychkovi Serhii , 43 vjeç dhe Senkevych Serhii, 62 vjeç.
Aksioni është zhvilluar ditën e djeshme, kur 3 vlonjatët rreth orës 15:00 kanë transportuar lëndën e dyshuar narkotike marijuanë, me 3 skafe drejt një mjeti tjetër lundrues, në thellësi të ujërave të detit Jon dhe më pas e kanë nisur atë drejt Italisë.

Në momentin e shkëmbimit të lëndës narkotike ka ndërhyrë Guardia di Finanza.
Pothuajse 1 ton kanabis ishte e ndarë në 153 pako të cilat u sekuestruan.
Policia gjeti në shtëpinë e Saverjo Imerajt 3 skafet të cilat u përdorën për transportin e lëndës narkotike, 3 aparate celularë dhe 2 automjete të tjera.
