Qytetarët të cilëve u kanë skaduar mjetet e identifikimit dhe nuk kanë mundësi ta kontrollojnë në portalin E-Albania, tashmë mund të paraqiten në zyrat e Gjendjes Civile për t’i konfirmuar. Këtë e ka bërë të ditur Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Bledi Doracaj në një intervistë për Report Tv.
Ai sqaron se prej ditës së dielë, në këto zyra janë afishuar disa lista me emrat e qytetarëve. Ata të cilët e kanë emrin e qarkuar, u kanë skaduar mjetet e identifikimit dhe nuk mund të votojnë në zgjedhjet e ardhshme ndërsa emrat e paqarkuara i kanë dokumentet në rregull.
“Është një numër i ulët i qytetarëve të ardhur për të aplikuar për karta identiteti. Ndaj dhe i bëjmë thirrje qytetarëve që të aplikojnë. Fluksi është ende i ulët dhe nuk kemi rradhë në sportele. Ne po dalim në çdo bashki duke bërë thirrje. Ne sot kemi ndërmarrë një tjetër iniciativë që do i vijë në ndihmë shtetasve që të kuptojnë nëse u ka skaduar letërnjoftimi elektronik dhe nuk mund të ketë akses në portalin E-Albania. Të dielën në darkë, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile ka gjeneruar ekstraktin e 5-të ku të gjithë shtetasit u ka skaudar letërnjoftimi elektronik janë të markuar. Çdokush që nuk ka një smartphone të futet në E-Albania, mund të paraqitet pranë zyrave të Gjendjes Civile apo pranë ambienteve që Kodi zgjedhor përcakton dhe mund të gjejë emrin e vetë. Nëse ai e sheh emrin e markuar në dokumentet e afishuara pranë këtyre ambienteve, atëherë u ka skaduar letërnjoftimi elektronik dhe nuk mund të votojnë. Nëse nuk e kanë të markuar atëherë e kanë në rregull” – tha Doracaj.
Lidhur me akuzat e PD-së për saktësimin e adresave të shtetasve apo me ndryshimin e vendbanimit, Doracaj deklaroi se KQZ prej disa muajsh nuk ka gjetur asnjë problem apo ndonjë pasaktësi.
“Vendbanimi ndryshon vetëm me kërkesën e vetë qytetarit. Nëse ju kujtohet, PD para pak muajsh ngriti një akuzë lidhur me saktësimin e adresës së shtetasve apo ndryshimin e vendbanimit. Deri më sot, edhe auditi i KQZ-së nuk kanë gjetur një rast të një shtetasi që i është ndryshuar vendbanimi dhe vendi i votimit. Sipas ligjit, ata duhet ta vetëdeklarojnë ndryshimin e vendbanimeve” – tha Doracaj.
