Ish-kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka thënë në një intervistë për gazetaren Nisida Tufa se janë gëzuar në Kosovë që një shqiptar (Lulzim Basha) punonte për UNMIK, pasi në atë institucion kishte nga çdo vend i botës.
Në lidhje me debatin politik që po zhvillohet në Shqipëri, lidhur me kasetën e Krushës dhe rolin e Bashës në kohën e luftës së Kosovës, Haradinaj tha se as ai dhe as populli në Kosovë s’e kupton pse ndodhin këto përçarje, ndërkohë që liderët politikë të shtetit fqinj kanë nevojë për mbështetje në Hagë.
Sipas tij, këto po përdoren për politikë, ku secili dëshiron të mbajë/marrë pushtetin.
Pyetje: Çfarë dini ju z.Haradinaj për rolin e Lulzim Bashës si pjesë të UNMIK?
Haradinaj: Ne jemi gëzuar kur kemi një parë një shqiptar duke punuar në UNMIK, se aty ka pas rusë, kinezë, të Afrikës, të gjitha vendeve, Amerikë e Evropë Po, sllavë ka pas shumë. Na ka ardh shumë mirë që edhe shqiptari ka arrit me mbërrit në UNMIK, ose në OSBE ose në këto mekanizma. T’ju them të drejtën nuk kam dijeni për ndonjë angazhim kundër çfarëdo vlere të Kosovës të z.Basha. Ka pas një tendencë me i paragjyku njerëzit se këta po punojnë me ndërkombëtarë, mirëpo ka qenë edhe një kënaqësi realisht me pa edhe shqiptarë. Ne edhe të Kosovës psh, ja zv/kryeministri i parë i qeverisë tonë, z.Besnik Tahiri, kur e kam marrë si koleg në qeverinë e parë Haradinaj në 2005, ky ka punu për OSBE, por e kam marr për shkak të aftësive, të njohurive që ai ka, që tani jemi kolegë. Më vjen keq që po ngrihen debate të tilla, ndoshta edhe për qëllime elektorale edhe po përçahemi më shumë si shqiptarë, pa nevojë realisht edhe nuk i mendoj të dinjitetshme këto.
Pyetje: Pse mendoni se del ky debat sa herë në Shqipëri ka zgjedhje?
Haradinaj: Të habitshme janë, nuk e di, jemi të hutuar edhe ne për çfarë po ndodh atje. Nuk na vjen mirë, kur Kosova është në vështirësi ju filloni atë debatet, përcarjet, sharjet. Nuk e kuptoj pse e bëni në këtë kohë. Në këtë kohë ju duhet të shtoni dashurinë për Kosovën.
Pyetje: Nga lindin këto…?
Haradinaj: Unë mendoj edhe këto janë skenarë të atyre përça e sundo. Përça e sundo është kjo, kushdo që e dëshiron t’i shohë shqiptarët të dobët, së pari do të shohë të dobët Tiranën zyrtare. Një Tiranë e dobët, i bën më të dobët shqiptarët kudo që janë. E kjo është një dobësim kaq i madh i Tiranës zyrtare, ose i nivelit të jetës atje, të debatit, nuk na ndihmon ne në këtë kohë, vetëm sa na dobëson me këto debate.