Valixhja e “dyshimtë” e cila alarmoi autoritetet në Fier pasi ishte lënë sot në mëngjes në rrugë pranë një marketi në qendër të qytetit, rezultoi të ishte bosh. Mendohet se ajo është lënë aty pasi është harruar nga punonjësit e bashkisë që pastrojnë qytetin gjatë natës.
Policia u njoftua rreth orës 10:30 se në lagjen “Apollonia”, në anë të rrugës është konstatuar një valixhe e mbyllur.
Pas njoftimit, shërbimet e Policisë vendosën perimetrin e sigurisë në vendngjarje ndërsa forcat xheniere kryen veprimet e mëtejshme.
Njoftimi i policisë:
Fier
“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë për një valixhe që ishte konstatuar në rrugë, nga këqyrja e kamerave dhe verifimeve nga shërbimet e Policisë, rezultoi se valixhja është bosh dhe është harruar nga një punonjëse e pastrimit të rrugëve.”
