Të gjithë ata që kanë interesa të posaçme rreth zhvillimeve shoqërore, duhet të kuptojnë se viti politik 2021, po shënon kapërcimin e një kufi të ri në jetën e vendit. Shqipëria po bëhet gati të kalojë një një etapë të re cilësisht ndryshe, të dinamikës së saj historike, e cila ka nisur të lërë pas tranzicionin 30 vjeçar postkomunist dhe kulturën e pandëshkueshmërisë që e karakterizoi atë.
Fitorja e mandatit të tretë qeverisës radhazi nga PS, qëndrimi i PD për herë të parë prej 12 vjetësh në opozitë, shpallja “non grata” e Sali Berishës dhe familjes së tij për “akte korrupsioni që minojnë demokracinë, shkarkimi i Presidentit të Republikës dhe funksionimi çdo ditë e me kapacitet më të plotë i të gjitha hallkave të sistemit të ri të drejtësisë,- janë disa nga hapat e parë që na bëjnë të kuptojmë se ka nisur një rrugëtim i ri për jetën e vendit.
Dy muajt në vijim deri në 9 shtator, pritet të sjellin zhvillime të tjera interesante, të cilat kanë vënë përpara provës së zjarrit të ardhmen e PD dhe opozitës. Mbi të gjitha, tani është vënë në lojë, vetë mbijetesa e së djathtës shqiptare. Ajo do të jetojë gjithmonë si projekt, filozofi, ideal dhe dimension pluralist e demokratik, por tani koha ka vënë përpara provës së ekzistencës politike, modelin aktual të funksionimit të saj në Shqipëri.
Sali Berisha që në themelim iu bë djep PD-së, duke mos u larguar për tu mbrojtur privatisht nga akuzat që i janë bërë, rrezikon që të shndërrohet tani edhe në varrin e saj. Lulzim Basha po tregon pafuqi totale dhe nuk po dëshmon as më të voglin vullnet, për ta ndarë PD dhe grupin e saj parlamentar, nga ish lideri historik që është i kryqëzuar publikisht në listën e zezë të SHBA. Një lider si Sali Berisha që udhëhiqet vetëm nga motoja se “pas meje qameti”, është gati që të tërheqë drejt greminës edhe Lulzim Bashën, edhe PD.
Në kushtet kur edhe LSI është katandisur vetëm me 4 deputetë dhe “lideri i saj historik” Ilir Meta, pret që të pësojë fatin e Sali Berishës, dëshmohet se opozita është zhytur tashmë zyrtarisht në një krizë të thellë lidershipi. Shtoi kësaj edhe krizën e besimit nga ana e partnerëve tanë më të rëndësishëm ndërkombëtarë, atëherë është shumë më e lehtë ta kuptosh, se opozita jonë ndodhet përpara një katastrofe fatale me pasoja të parikuperueshme për të ardhmen.
Askush nuk mund të ndjehet i lumtur për këtë tablo të errët pesimiste, por faktet janë kokëshkreta, ndaj meritojnë që të analizohen me seriozitetin maksimal. Në lojë nuk është thjeshtë dhe vetëm fati personal i disa liderëve politikë të PD, LSI dhe të së djathtës shqiptare, por i gjysmës së çdo lloj demokracie pluraliste; opozitës. Në çdo vend, ajo është një pasuri e pazëvendësueshme e sistemit që edhe ne shqiptarët, kemi 30 vjet që e kemi zgjedhur ta jetësojmë sëbashku.
Realiteti është kokëfortë dhe brenda dy muajve të ardhshme, nuk pritet që Lulzim Basha të kapërcejë ylberin për ta zhbërë këtë realitet, ku ai është zhytur sëbashku me Sali Berishën, Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin. Ata po udhëtojnë me dëshirën e tyre në të njëjtën anije, duke na dëshmuar në dy-tri vitet e fundit, se për të bllokuar ngritjen e sistemit të ri të drejtësisë që po bëhet gati të thotë fjalën e saj edhe për ta, janë gati që të bëjnë deri edhe vetëvrasje politike.
Jo vetëm në Tiranë, por edhe në Washington e Bruksel janë lexuar shumë qartë këto skenare, ndaj janë përgatitur edhe për më ekstremin mes tyre. Jo më kot këtë javë që sapo u mbyll, Ndihmës Sekretari i Shtetit në Detyrë për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike Philip Reeker, nuk gjeti asnjë minutë kohë për Presidentin e shkarkuar, por gjeti mjaft kohë për të folur, pozuar dhe postuar takimet shumë miqësore me Princin Leka dhe kandidaten për Kryetare të PD, Edith Harxhi. Sinjal tepër i qartë diplomatik ky, se SHBA janë të gatshëm në rast nevoje, që të mbështesin edhe një projekt të mundshëm për rithemelimin e së djathtës shqiptare.
Ky proces nuk është ndonjë shpikje. Ai ka ndodhur në shumë vende të ish Europës Lindore komuniste, në fund të tranzicionit pas daljes nga skena e madhe politike, të liderëve të korruptuar e të kriminalizuar të postkomunizmit. Një elitë e re e së djathtës së vërtetë dhe pa mëkatet e së shkuarës, zuri vendin e “komunisteve antikomunistë”, duke ndihmuar në integrimin më të shpejtë të vendeve të tyre drejt BE.
Në kushtet politike ku ndodhet Shqipëria sot, rithemelimi i së djathtës shqiptare nga njerëz që bartin simbolikën më përfaqësuese të së shkuarës dhe që mishërojnë vlerat më të mira të së ardhmes, duket se është tashmë një çështje e shtruar për zgjidhje!
