Sapo Parlamenti votoi me 100 vota “Pro” dhe 7 “Kundër”, rezolutën e mazhorancës për Presidentin pas shfuqizimit që ai i bëri zgjedhjeve të 30 Qershorit, Ilir Meta ka përqafuar një tezë të re politike. Duke shaluar një kalë ti ri beteje, me qëllimin për ti mbijetuar procedurave të shkarkimit, të nisura ndaj tij nga Parlamenti.
Ilir Meta vetëm këto ditë dhe vetëm pas këtij votimi, që i hapi rrugën daljes nga zyra e Kreut të Shtetit, u kujtua të thotë se Parlamenti aktual është ilegjitim. Që nga korriku i 2017 kur u zgjodh President i Republikës me 87 vota, e deri tek votimi me 100 vota kundër tij në Parlament, Ilir Meta nuk e kishte artikuluar asnjëherë këtë qëndrim.
I pyetur nga gazetarët se si e komentonte rezultatin 100 me 7 kundër tij, Ilir Meta u përgjigj se “Presidenti është zgjedhur nga Parlamenti. Natyrisht jo nga ky, por nga një Parlament krejtësisht legjitim. Presidenti i përket Republikës. Republika u përket qytetarëve.”
Ndërsa më pas, zëdhënësi i Presidentit shkroi në rrjetet sociale se “mocioni i “çunave të Shijakut” që kërkon të instalojë “Narko-Republikën” e bandave dhe oligarkëve do të marrë përgjigjen e merituar nga qytetarët e Republikës së Shqipërisë. Shqipëria e para!” Një qëndrim ky që u përsërit këtë të dielë nga Ilir Meta, edhe gjatë një interviste që dha për “Aljazeera”. Pyetjet që lindin pas kësaj janë:
Përse një Parlament është legjitim për Presidentin e Republikës së Shqipërisë, për aq kohë sa ai nuk ka nisur një procedura shkarkimi nga kjo detyrë për Ilir Metën?
Përse Parlamenti i Republikës së Shqipërisë bëhet menjëherë jo legjitim, vetëm pasi kreu i shtetit rrezikon që të lerë postin e tij, pas një shkelje të rëndë kushtetutese që bëri pas anullimit të datës së zgjedhjeve të përgjithshme lokale dhe me mosdekretimin e një date të re?
Si ka mundësi që Parlamenti qenka jo legjitim dhe Ilir Meta ka firmosur nga koha kur ka hyrë në zyrën e Kreut të Shtetit, e deri më sot, mbi 200 dekrete?
Nëse ky Parlament do të ishte jo legjitim, siç thotë Ilir Meta këto ditë, si ka mundesi që ai si President Republike, ka firmosur dhe vijon edhe sot e kësaj dite që të zyrtarizojë me firmën dhe vulën e tij, dekrete dhe produkte të tjera parlamentare të paligjshme?!
Nëse Ilir Meta për Parlament legjitim pas zgjedhjeve të 2017 ka parasysh vetëm periudhën nga shtatori i atij viti kur u konstitua, e deri në 16 shkurt të këtij viti, kur “Opozita e Bashkuar” ishte brenda sistemit? Dhe si jo legjitime, periudhën pas kësaj?
Përse duhet të jenë legjitimë në një Parlament të pas zgjedhjeve të 25 qershorit 2017, deputetët që morë mandatet për ti djegur dhe jo deputët e rinj, që zunë vendet e lëna bosh prej tyre, pasi dogjën mandatet? A nuk janë deputetët e rinj të opozitës në Parlamentin actual, pjesë e listave zyrtare të PD, LSI e aleatëve për të cilët, ka dhënë bekimin e ka vënë vulën edhe vetë Ilir Meta kur ishte kryetar partie?
Përgjigja e këtyre pyetje është e qartë. Fatkeqësia e këtij vendi është se loja politike në Shqipëri, ka shkuar deri në atë pikë sa për opozitën e rrugëve dhe për “katërshen” e lidershipit të saj shkelja e ligjit, e kushtetutës, dalja nga Parlamenti, nga sistemi politik e demokratik dhe nga procesi elektoral i vendit, tani quhen legjitime. Ashtu sikundër për ta janë legjitime edhe Antisistemi, antidemokracia, antiligji, antiparlamentarizmi dhe antiinstitucionalizmi.
Për aq kohë sa Ilir Meta do të mbahet mend në historinë e njerëzimit si i pari dhe i vetmi Kryetar Shtetit në një Republikë Parlamentare që firmos një dekret për ti mohuar të drejtën popullit të vet për të zgjedhur dhe për tu zgjedhur, të gjitha të tjerat që ai thotë, bën dhe mendon nuk mund të meren më në konsideratë. Aq më pak, seriozisht.
Për ta kuptuar këtë, mjafton të kujtojmë se çthotë Ilir Meta: “Presidenti i Përket Republikës. Republika i përket qytetarëve.” Një parrullë tipike bolshevike. Duke “harruar” se ne jemi një Republikë Parlamentare. Në një sistem si ky, qytetarët ia delegojnë pushtetin e tyre me votë, deputetëve. Të cilët votuan në Parlament, 100 me 7 kundër Ilir Metës, duke i hapur rrugën shkarkimit të tij. Presidenti ka konflikt interesi që të gjykojë institucionin që ka nisur të gjykojë “legjitimitetin” e tij në detyrë. Ndaj, më e pakta që mund të bëjë në këto kushte, është që të heshti.