Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, njëherësh anëtar i Komisionit të Rithemelimit, ka komentuar deklaratën e Alibeajt i cili tha se deputetët janë në të njëjtin mendim për të marrë pjesë në procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri.
Këlliçi i quan deklaratat e Alibeajt si destruktive, ndërsa thotë se Alibeaj është “ministër i Ramës.”
“Keqardhje për ministrin e Edi Ramës për marrëdhëniet me PD, Enkelejd Alibeaj, në raport me qasjen e tij politike dhe destruktive brenda PD. Që të dalë Alibeaj dhe të thotë se i dhimbset PD, që nga mëngjesi në darkë vijon të përçajë PD, është i gatshëm të ulet me Ramën dhe nuk gjen kohë të diskutojë çështje që ne kemi muaj që i adresojmë. Alibeaj ka qenë i ftuar në Kuvend, është i ftuar nesër në Këshillin Kombëtar”, tha Këlliçi.
