Dy ngjarjet e mbrëmjes së djeshme tronditën Tiranën dhe gjithë vendin, ku në të dyja rastet protagoniste ishte vetë policia. Në njërën, një efektiv policie qëlloi me armë kolegun e tij i cili ndërroi jetë, ndërsa në tjetrën po një punonjës policie qëlloi nje qytetar me armën e shërbimit. Për të dyja këto raste ka reaguar sot deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj.
Përmes një postimi në “Facebook”, Alibeaj bën thirrje që Policia e Shtetit të vendoset në shinat e ligjshmërisë.
Historiku i përfshirjes së forcave të rendit në ngjarje kriminale, përfshirja në trafik droge, në mbrojtjen e kriminelëve, rekrutimet politike në policinë e shtetit e shumë të tjera, e bën situatën më dramatike dhe dëshmon edhe njëherë gjendjen e vërtetë mes radhëve te Policisë së Shtetit, tha Alibeaj.
Postimi i plotë
“Breshëri armësh brenda komisariatit, plagosje e një të ngrati prej policit të dehur dhe një bilanc lufte me të plagosur e të vrarë, këtë herë mes vet forcave të rendit!
Përpos keqardhjes për humbjen e jetës, jetët e shqiptarëve janë gjithnjë e më të pambrojtura. Një alarm që PD e ka ngritur në vite.
Historiku i përfshirjes së forcave të rendit në ngjarje kriminale, përfshirja në trafik droge, në mbrojtjen e kriminelëve, rekrutimet politike në policinë e shtetit e shumë të tjera, e bën situatën më dramatike dhe dëshmon edhe njëherë gjendjen e vërtetë mes radhëve te Policise së Shtetit!
Organizata e Policisë së Shtetit nuk duhet të jetë as strehë e elementëve kriminalë dhe as strehë e militantëve të padenjë për të veshur uniformën e ruajtësit të rendit e sigurisë.
Ndaj ngjarje të tilla duhet të jenë kambanë alarmi për gjendjen e policisë dhe një thirrje për të rivënë në shinat e ligjshmërisë Policinë e Shtetit.”
