Gazetarja Anila Hoxha, me anë të një postimi në profilin e saj në rrjetet sociale, ka dhënë të tjera detaje nga sekuestrimi i një sasie prej 119 kg drogë në Vaqarr të Tiranës, një ditë para ndërrimit të viteve. Hoxha thotë se kanë qenë punëtorët ata që kanë parë fillimisht se disa arka që supozohet të ishin me banane peshonin më shumë se të tjerat. Më pas gjatë shkarkimit të ngarkesës, ata kanë parë se poshtë arkave ishin disa pako në formë drejtkëndorë, të cilat u provuan se ishin me kokainë.
Teksa tregon gjithë rrjedhën e ngjarjeve që nga ardhja në portin e Durrësit, kalimit pa u vënë re në skanera e deri te ndalesa në Vaqarr nga disa persona të panjohur që i ishin prezantuar si ‘shteti’, gazetarja shprehet se çdo veprim i vonuar, arrestim apo edhe burgim me synimin që provat do të gjenden më pas, janë një kambanë alarmi për autoritetet vendase, pasi sipas saj, ky hetim nuk është as 1 për qind e historive që janë ulur këmbëkryq, që vjedhin ngarkesa, që mbajnë pengje apo edhe që vrasin ashtu si i quan policia për hesape jashtë vendit dhe në fund janë trafikantët ata që vijojnë të mos preken.
