Ndryshe nga amnistitë e mëparshme, rivlerësimi këtë vit do të përfshijë edhe banesat që janë në proces regjistrimi, pra që e kanë lejen, por nuk kanë marrë certifikatën e pronësisë.
Kjo po bëhet për të mospenalizuar 80 mijë e më shumë familje që ende se kanë përmbyllur këtë proces, të cilat po ashtu do të kenë mundësi të përditësojnë vlerën e shtëpisë që kanë në posedim, përkundrejt një detyrimi tatimor 3 për qind. Nga ana tjetër, çfarë përbën risi tjetër sipas kreut të Kadastrës, Artan Lame, janë edhe format e aplikimit.
Qytetarët do të kenë mundësi që të aplikojnë edhe online nëse e kanë të pamundur të paraqiten në sportelet e agjencisë apo duan të shmangin radhët dhe pritjen disaorëshe që mund të krijohet aty. Në të dyja rastet, procesi do të zgjasë vetëm 5 ditë.
“Procesi i rivlerësimit, kësaj radhe do të ketë këto dy risi: Së pari, do të realizohet nëpërmjet aplikimeve online, duke shkurtuar burokracitë për qytetarët dhe së dyti, do të aplikohet edhe për pasuritë e legalizuara që janë në proces regjistrimi në Kadastër. Risia e dytë është rezultat direkt i reformës institucionale të shkrirjes në një të vetme të institucioneve të pronësisë, ish-Aluiznit dhe ish-ZRPP-së. E gjithë procedura e përpunimit të të dhënave nga ana e punonjësve tanë zgjat 5 ditë pune”, tha Lame, një ditë pas miratimit dhe publikimit në udhëzimit në zbatim të ligjit “Për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme”.
APLIKIMET
Bashkë me udhëzimin, është miratuar edhe formulari i cili do të vihet në dispozicion të qytetarëve. Aplikimet, tha Lame, do të nisin duke filluar nga kjo e premte për t’u mbyllur më 30 shtator, sikundër përcaktohet në ligj.
“Kadastra shqiptare fton qytetarët e interesuar se, duke filluar nga dita e nesërme (sot), mund të paraqiten pranë sporteleve të ADISA-s ose pranë sporteleve tona, për të aplikuar për procesin e rivlerësimit të pasurive të tyre”.
Në dy muajt e parë, përparësi do të kenë qytetarët që kanë emergjencë, pra që duan ta shesin shtëpinë, ta lënë kolateral etj. Më pas, do të vijohet me pjesën tjetër të aplikimeve.
“Me qëllim që të shmangim ngarkesën e madhe të këtyre ditëve, nga ana jonë është ndërtuar një kalendar për shpërndarjen e këtij procesi përgjatë muajve në vijim. Kështu, përgjatë muajve shkurt dhe mars do të kryhet procesi i rivlerësimit për ata qytetarë që u shërben në kuadër të ndjekjes së procedurave të tjera emergjente, si vendosja e pronës në bankë si kolateral apo me qëllim shitjen e pronës së tyre. Në vijim, deri në muajin shtator, kur mbyllet ky proces, do të vijojmë shërbimin për pjesën tjetër të qytetarëve të interesuar”, tha Lame.
RIVLERËSIMI
Ulja e detyrimit tatimor nga 15 për qind në 3 për qind iu jep mundësi qytetarëve që të përditësojnë vlerën e pasurisë së tyre.
“Nëpërmjet procesit të rivlerësimit, synohet që qytetarët të përfitojnë nga rivlerësimi i pasurive dhe përafrimi i tyre me vlerën e tregut. I shprehur në shifra, ky përfitim për qytetarët realizohet duke e çuar vlerën e tatim-fitimit, në rast transaksioni, nga 15% në 3%, që e parashikon ligji i rivlerësimit”, vuri në dukje kreu i Kadastrës dje. Rivlerësimi mund të bëhet nga punonjësit e Kadastrës apo nga ekspertë të licencuar. Në rast se bëhet nga punonjësit e Kadastrës, tatimi i parashikuar është 3% e diferencës midis vlerës së dalë nga rivlerësimi me çmimet e referencës, me çmimet minimale fiskale në fuqi dhe vlerës së pasurisë të aktit të regjistruar. Sakaq, nëse rivlerësimi bëhet nga eksperti i licencuar, tatimi është 3% e diferencës ndërmjet vlerës së pasqyruar në akt-ekspertimi dhe vlerës së pasurisë së aktit të regjistruar ose vlerës së rivlerësuar. Për bizneset, detyrimi tatimor është 5 për qind e diferencës ndërmjet vlerës së rivlerësimit dhe vlerës kontabël të regjistruar për pasuritë e paluajtshme. Për të përfituar nga amnistia, duhet të dorëzohet pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore: deklarimi vullnetar për rivlerësimin e pasurisë, prokura nëse kjo procedurë kryhet nga një përfaqësues ligjor i caktuar prej tij; kopje të licencës së ekspertit të pavarur të vlerësimit të pasurisë; kopje të faturës së shërbimit të ekspertit të vlerësimit të pasurisë; aktin origjinal të vlerësimit të pasurive të paluajtshme; pasqyrën financiare të vitit 2019, pasuria e paluajtshme që rivlerësohet, përfshirë anekset shpjeguese për aktivin afatgjatë material që rivlerësohet, si edhe kopjen e mandatit të pagesës për vlerësimin e pasurisë, në masën 5% të diferencës, ndërmjet pasurive të paluajtshme të regjistruara në pasqyrat financiare./ Panorama