Close Menu
Tirana News AlbaniaTirana News Albania
  • Kreu
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Rajon&Bota
    • Ekonomi
  • Lifestyle
    • Shëndeti
    • ShowBiz
    • Horoskopi
    • Kulinari
  • OPED
  • Vendi Im
  • Gjurmë
  • Teknologji
  • Sporti
Facebook Instagram
  • Kontakt
  • Politikat e privatesise
Facebook Instagram
Tirana News AlbaniaTirana News Albania
  • Kreu
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Rajon&Bota
    • Ekonomi
  • Lifestyle
    • Shëndeti
    • ShowBiz
    • Horoskopi
    • Kulinari
  • OPED
  • Vendi Im
  • Gjurmë
  • Teknologji
  • Sporti
Abonohu
Tirana News AlbaniaTirana News Albania
Kryesore

ANALIZA/ “Largimi i Ramës jo me kryengritje që kanë ‘prerë koka mbretërish’, pse opozitës i duhet revolucioni i kadifenjtë”

16:35 / May 26, 20197 Mins Read
Facebook LinkedIn Email WhatsApp
prec zogaj
Share
Facebook LinkedIn Email WhatsApp

Preç Zogaj/ Fantazma e një përplasjeje të dhunshme, të cilën disa zëra rreth opozitës apo brenda saj s’reshtin ta quajnë duke e ndjellë “revolucion”, po vjen rrotull prej disa muajsh. Lehtësia me të cilën predikohet, nxitet dhe kërkohet është një koktej mes foshnjores dhe të kobshmes.

Duhet sqaruar: një gjë është t’i bësh opozitë dhe të luftosh me të gjitha mjetet demokratike për largimin nga pushteti të qeverisë socialiste të Edi Ramës dhe një gjë tjetër është ta synosh këtë me metoda dhe mjete të papranueshme për demokracinë.

Qeveria e Edi Ramës, si çdo qeveri dhe më shumë se disa të tjera në rajon dhe Europë meriton një opozitë të fortë. Si institucion i kontrollit dhe alternativë e pushtetit, opozita është përballë qeverisë edhe kur kjo qeveris me sukses, në respekt të programit të saj të votuar. Aq më shumë është përballë kur qeveria dështon të mbajë fjalët e më shumë akoma kur bën e lejon gjëra të padëgjuara. Promovimi në pushtet i individëve me rekorde kriminale, shndërrimi i krimit në skemë elektorale dhe kanabizimi i vendit në shkallë të gjerë janë tri njollat e mëdha të mandatit të parë të qeverisë së Ramës. Njollën e katërt, shitblerjen e votës në zgjedhjet e vitit 2017, PS-ja e ndan me dy partitë e tjera qeverisëse të kohës, LSI-në dhe PDIU-në. Pas atyre zgjedhjeve, qeveria “Rama 2” e ka ushqyer e provokuar opozitarizmin e fortë me lloj-lloj aktesh të tjera me përmbajtje të dukshme korruptive, ku dallojnë PPP-të e famshme.

Duhet të pranojmë ndërkohë se ligji konsensual i Dekriminalizimit e ka eliminuar në themel përgjatë legjislaturës 2017 e në vijim problemin e zgjedhjes apo emërimit në poste drejtuese të individëve me rekorde kriminale. Kurba e kultivimit të drogës që kapi majën në vitin 2016 ka pësuar një rënie të madhe, gati si në pikiatë vitin e shkuar. Disa prej PPP-ve më problematike janë anuluar ose pezulluar dhe ka pak shanse të rinisen në të njëjtat kushte siç ishin përpara se të bëheshin objekt i denoncimit të fortë qytetar dhe opozitar. Një pjesë e grupeve kriminale që kanë vepruar edhe si banda elektorale në zgjedhjet e vitit 2017 janë arrestuar, ka akoma në gjendje të lirë, por ligjit s’do t’i shpëtojë askush. Opozita, partnerët amerikanë e europianë, media e lirë, shoqëria civile, disa prej institucioneve ligjzbatuese të vendit, të gjitha së bashku e veç e veç kanë rolin e tyre në këto zhvillime. Për pozicionin që ka dhe për luftën pa kompromis që ka bërë, opozita dhe kreu i saj, Basha, kanë një rol të dorës së parë.

Nuk ka vlerë të futemi dhe të analizojmë arsyet pse qeveria Rama është tërhequr plotësisht apo pjesërisht, përgjithmonë apo përkohësisht nga rekordet e lartpërmendura. E rëndësishme është se ka bërë hapa prapa. Në dritën e këtij bilanci që nuk mund të konsiderohet i mbyllur, por që tregon sot një situatë të përmirësuar në krahasim me legjislaturën 2013 – 2017 sa i takon dekriminalizimit dhe dekanibizimit, por edhe goditjes së disa bandave elektorale, opozita ka arsye të njohë këtu fitoret e veta dhe të rikalibrojë me arsye retorikën e qëndrimet në raport me fenomenet në fjalë, pa u kompleksuar se mos po zvogëlon të keqen e qeverisë. Reagimi proporcional me ngjarjet që e shkaktojnë i jep nder dhe respekt opozitës. Brenda vendit dhe sidomos në arenën ndërkombëtare, ku këto gjëra shihen në një optikë tepër profesionale.

Thënë këtë, nuk ka dyshim se qeveria ka plot dështime, paudhësi dhe shkelje të tjera të freskëta për ta mbajtur përgjegjëse, nën vëzhgim dhe nën akuzë. Spektri i fakteve dhe problematikave për t’i bërë opozitë dhe për të kërkuar largimin e Edi Ramës dhe qeverisë së tij është mjaft i gjerë. Sidomos sot, në vitin e tij të gjashtë si kryeministër. Edi Rama meriton të largohet dhe do të largohet. Pathyeshmëria e tij është një mit i vlerësimeve të gabuara, por edhe një dinakëri e politikanëve pa fantazi.

Largimi i Ramës dhe qeverisë së tij nuk përligj një revolucion sipas kuptimit klasik që ka kjo fjalë në bilancin e revoltave dhe kryengritjeve që kanë prerë deri koka mbretërish, por kurrsesi nuk identifikohen me demokracinë. “Revolucioni dhe demokracia janë nocione të kundërta”, thotë Rajmond Aron.

Kërcënimi me “revolucion” e ndihmon Ramën të qëndrojë në pushtet, për faktin se përkundrejt një kërcënimi të tillë të papranueshëm për kodet e demokracisë, të gjitha vendet e Perëndimit edhe ato që kanë pasur e kanë qëndrime shumë kritike për qeverisjen e tij, janë të shtrënguar të mbajnë anën e parimeve, gjë që Rama nuk ka vështirësi ta tregojë si mbështetje për të.

Retorika operon shpesh në kufirin e metaforave në përgjim të momentit për t’u bërë reale. Djegia e mandateve e përmban në dispozitivin e vet ndeshjen për “jetë a vdekje”. Besoj se vendi nuk do të shkojë në këtë stratagjemë për shumë arsye. E para dhe kryesorja, sepse nuk ka sot asnjë vend në familjen e kombeve të lira ku qeveritë të jenë alternuar në bazë të luftës për jetë a vdekje. Po të kishte një të tillë, Shqipëria mund të vraponte për t’u bërë e dyta. Për fat jemi pjesë e familjes euroatlantike. Së dyti, kam shpresë se aktorët politikë kryesorë do t’i thërrasë vetëdija dhe përgjegjësia për gjetur një zgjidhje me dialog në ruajtje të nderit të ndërsjellë. Së treti, sepse në diadën “jeta a vdekje”, gjymtyra e parë bie nëse vërtet dikush mendon t’i shkojë asaj deri në fund. “Jetë” në kuptimin e fitores nuk ka për askënd. Ka vetëm rënien në humnerën e moskthimit. Janë gjëra elementare, s’ka nevojë të jesh profet për t’i parashikuar. Askush nuk fiton me mjete të dhunshme. Metodat e dhunshme nuk kanë sjellë kurrë demokraci edhe kur janë shtyrë përpara me fjalime të zjarrta për lirinë.

Retorika dhe vepra e përgjakshme e terrorit, si pjesa më mizore e revolucionit francez, ka marrë me kohë damkën e çarjes së mendjes njerëzore, të ndyrësisë vetë. Jo vetëm nga konservatorët dhe ruajalistët e klasit të De Mestres, por nga të gjithë filozofët, studiuesit dhe shtetarët liberal-demokratë të shekujve që pasuan.

Në shumëkuptimësinë që ka fjala “revolucion” është një që do t’i shkonte Shqipërisë, opozitës, demokratëve të çdo ngjyre. Ky është revolucioni i kadifenjtë me protesta popullore të qytetëruara, i udhëhequr nga Vasllav Havel në vitin 1989 në Çekosllovaki. “Karakteri i padhunshëm kadife i revolucionit ishte absolutisht spontan”, ka shkruar Mikael Zantovski, një pjesëmarrës aktiv dhe bashkëpunëtor i Havelit. Të bën përshtypje fakti se udhëheqësi Havel ishte njëqind e pesëdhjetë kilometra larg Pragës kur nisi marshimi i parë i studentëve në nëntor 1989. Brenda pak ditëve, pjesëmarrja u bë një oqean njerëzor. Revolucioni me emrin pjesëmarrje u ngrit i vetvetishëm, njerëzit i bashkonte si një filament drite një shpresë dhe një qëllim. Preokupimi i Havelit, sipas Zantiovskit, ishte të mbante popullin të bashkuar, ai e kishte talentin e tij këtë. Me kulturën që zotëronte dhe gjuhën demokratike që përdorte. Ndaj e quanin “karboni”, një element kimik i aftë për t’u lidhur me shumë të tjerë, për të krijuar një substancë të fortë, të pathyeshme, mbushur me kontradikta, por mjaft të qëndrueshme sa për të vënë në lëvizje transformimin e vrullshëm që gjendej përpara.

Revolucioni i kadifenjtë është një shkollë e madhe, e pashmangshme për të gjithë ata që synojnë të fitojnë përmes protestave. Ai na tregon se protestat popullore, të cilat prej kauzës që shërbejnë mund të lartohen në rangun e revolucionit, janë të suksesshme kur janë paqësore dhe janë paqësore kur janë masive. Masiviteti e përmban në vetvete vetëdijen e forcës. Që nuk ka përse ta ushtrojë në forma të dhunshme. Asnjë qeveri nuk mund të qëndrojë kur të shohë derdhjen spontane dhe bashkimin plebishitar të qytetarëve kundër saj. Ky është caku për t’u mbërritur nga opozita. Është modeli i protestave për liri dhe demokraci reale./ Liberale.al

Share. Facebook Twitter Pinterest LinkedIn Email WhatsApp

Postime te ngjashme

Debate në Komisionin për Reformën Territoriale, Mazniku: Opozita ka penguar me qëllim punën,qytetarët shqiptarë s’kanë kohë për të humbur

16:24 / July 15, 2026

Abuzimet me çmimet, zbarkon Task Forca/ Lezhë, kontrolle pas denoncimeve me tarifat e shezlogëve

14:32 / July 15, 2026

Qeveria miraton ndryshime ligjore në financa/ Gati edhe katër marrëveshje të reja për pensionet e emigrantëve

13:46 / July 15, 2026

Pse Ilir Meta qëndron në burg, ndërsa Berisha paraqitet dy herë në muaj? Përgjigjet kreu i SPAK

11:38 / July 15, 2026
Add A Comment
Leave A Reply Cancel Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

© 2026 TiranaNews. Te gjitha te drejtat e rezervuara.
  • Kontakt
  • Politikat e privatesise

Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.