Nga Oliverda Allmuҫa
Në vetëm 24 orë, mediat online në Shqipëri prodhojnë më shumë se 30 mijë lajme. Ritmi i lartë i publikimeve, konkurrenca për klikime dhe mungesa e filtrave profesionalë kanë krijuar një treg mediatik virtual që është zgjeruar me shpejtësi, por që vijon të mbetet plotësisht jashtë kontrollit institucional.
Pavarësisht përpjekjeve të ndërmarra ndër vite për të formalizuar këtë treg, nisma e ndërmarrë nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, e mbështetur publikisht edhe nga qeveria shqiptare, nuk ka arritur të prodhojë një regjistër të plotë dhe funksional të mediave online.
Sipas të dhënave zyrtare, rreth 700 domaine rezultojnë të regjistruara dhe të pajisura me NIPT. Megjithatë, kjo shifër nuk ka reflektuar asnjëherë realitetin e plotë të rrjetit mediatik që operon në hapësirën virtuale shqiptare. Aktualisht një pjesë e konsiderueshme e portaleve funksionojnë pa transparencë mbi pronësinë, strukturën editoriale apo mënyrën e financimit, duke e lënë këtë segment të industrisë në një zonë gri.
Një vëzhgim i kryer në kuadër të këtij artikulli tregon se përmbajtja dhe mënyra e funksionimit të portaleve online ndryshon ndjeshëm në varësi të kategorisë së tyre.
Kategoria më e madhe përfshin portalet që operojnë ekskluzivisht online. (Dosja.al, Pamfleti, JOQ Albania) Kjo pjesë e tregut përllogaritet të ketë mbi 500 portale aktive, të cilat prodhojnë dhe shpërndajnë përmbajtje vetëm në internet. Karakteristika kryesore e tyre është ritmi shumë i lartë i publikimeve, ku prioritet mbetet trafiku dhe klikimet. Një pjesë e konsiderueshme e materialeve janë të riprodhuara nga burime të tjera mediatike, ndërsa shpërndarja mbështetet kryesisht te rrjetet sociale dhe jo te audienca organike. Në pjeswn mw tw madhe tw kwtyre portaleve, mungojnë burimet e konfirmuara në terren, ndërsa verifikimi i informacionit mbetet minimal.
Në një kategori tjetër bëjnë pjesë portalet që funksionojnë si zgjatim i televizioneve tradicionale. (Top Channel, Tv Klan, Shqiptarja) Këto media online paraqesin zakonisht një strukturë më të konsoliduar editoriale, staf më të organizuar dhe identitet publik të qartë, të lidhur me markën televizive që përfaqësojnë.
Për shkak të pranisë së redaksive fizike dhe rrjetit të reporterëve në terren, përmbajtja në këto portale i nënshtrohet më shpesh proceseve të verifikimit. Një element dallues është edhe publikimi i materialeve të prodhuara nga vetë televizioni, të cilat ruajnë një identitet editorial më të kontrolluar krahasuar me përmbajtjet që qarkullojnë në mënyrë masive në rrjet.
Përtej këtyre dy kategorive kryesore, ekziston edhe një grup portalesh më të vogla në numër, por shpesh më problematike për mënyrën e funksionimit dhe ndikimin në opinionin publik.
Një pjesë e tyre identifikohen si portale propagandistike, të krijuara kryesisht për të mbështetur interesa politike apo grupe të caktuara ndikimi. Përmbajtja në këto media karakterizohet nga njëanshmëria editoriale dhe përdorimi i lajmit si instrument politik.
Një tjetër kategori problematike janë portalet anonime, ku mungon çdo informacion mbi pronësinë, redaksinë apo autorët e artikujve. Këto portale publikojnë shpesh materiale clickbait, tituj manipulues apo lajme të paverifikuara, ndërsa mungesa e identitetit publik e bën pothuajse të pamundur mbajtjen e tyre përgjegjëse për përmbajtjen që shpërndajnë.
Në tregun online operojnë gjithashtu edhe portalet e showbiz-it dhe argëtimit, (Anabel, Class, Bordo) të fokusuara kryesisht te jeta private e personazheve publike, trendet në rrjetet sociale dhe përmbajtjet me konsum të shpejtë mediatik.
Ndërkohë, portalet ekonomike apo të profilizuara (Skyweb.al, Ekofin, Monitor) mbeten më të kufizuara në numër. Këto media synojnë një audiencë më specifike dhe publikojnë kryesisht informacion ekonomik, financiar apo profesional, me standarde më të strukturuara raportimi.
Ndër kategoritë më të rralla në Shqipëri janë portalet investigative. (BIRN, Faktoje.al, Citizens Channel)
Këto platforma mbështeten kryesisht nga organizata ndërkombëtare, donatorë apo rrjete të specializuara mediatike jashtë vendit. Përmbajtja e tyre karakterizohet nga verifikimi i dokumenteve, investigimi afatgjatë dhe një qasje më profesionale ndaj raportimit. Në një treg të dominuar nga shpejtësia dhe klikimet, këto media mbeten ndër hapësirat e pakta ku prioritet vijon të jetë kontrolli i informacionit dhe standardi gazetaresk.
Por çfarë gazetarësh ka sjellë kjo shumëllojshmëri portalesh në tregun mediatik shqiptar?
Një anketim orientues i realizuar për qëllime të këtij shkrimi me mbi 100 gazetarë të mediave online në Shqipëri tregon se kushtet e punës në portalet shqiptare mbeten problematike, veçanërisht për gazetarët e rinj dhe ata që hyjnë për herë të parë në tregun e medias.
Sipas të dhënave të mbledhura, rreth 70% e gazetarëve të anketuar deklarojnë se paguhen në kufijtë e pagës minimale, me të ardhura që variojnë nga 400 deri në 800 euro në muaj. Po ashtu, rreth 46% deklarojnë se paguhen nën dorë, pra pa qenë të deklaruar.
Përtej problematikave ekonomike të vetë industrisë, kjo lidhet edhe me profilin profesional të një pjese të stafit që punon në mediat online. Rreth një e treta e të intervistuarve pohojnë se nuk kanë përfunduar studime në gazetari apo komunikim, ndërsa një pjesë janë ende studentë.
Ngarkesa e punës rezulton gjithashtu e lartë. Mbi 90% e gazetarëve raportojnë se punojnë të paktën tetë orë në ditë, ndërsa në shumë raste orari zgjatet për shkak të ritmit të publikimeve dhe nevojës për përditësim të vazhdueshëm të përmbajtjes online.
Edhe volumi i materialeve të prodhuara paraqitet i konsiderueshëm. Më shumë se gjysma e gazetarëve të pyetur deklarojnë se publikojnë mbi 30 lajme në ditë, një ritëm që, sipas tyre, e bën të vështirë verifikimin e plotë të informacionit dhe ul mundësinë për punë cilësore.
Nga përgjigjet e marra rezulton se në shumë raste lajmet merren nga media të tjera dhe ripublikohen me ndryshime minimale, kryesisht në titull ose në hyrje të materialit. Një pjesë e konsiderueshme e gazetarëve deklarojnë gjithashtu se artikujt publikohen pa emër autori, ose me identifikime të përgjithshme si “redaksia”, praktikë që shpesh e bën të paqartë përgjegjësinë editoriale mbi përmbajtjen.
Në kontrast me këtë realitet, gazetarët që punojnë në media investigative raportojnë standarde më të larta pune, më shumë kohë për verifikimin e informacionit, pagesa më të mira dhe publikim të autorësisë në artikujt e tyre.
Ndikimi i këtij modeli pune reflektohet edhe në perceptimin që vetë gazetarët kanë për profesionin. Mbi 64% e të anketuarve e përshkruajnë punën në portalet online më shumë si stresuese sesa motivuese profesionalisht, duke e lidhur këtë kryesisht me presionin për shpejtësi, numrin e lartë të publikimeve dhe mungesën e sigurisë profesionale.
Por si ndikon e gjithë kjo panoramë në cilësinë e lajmeve që serviren online?
Rritja e përdorimit të internetit dhe rrjeteve sociale ka transformuar mënyrën se si shqiptarët konsumojnë lajmin, duke e zhvendosur informimin nga televizioni tradicional drejt platformave online, ku shpejtësia e publikimit shpesh dominon mbi verifikimin e informacionit, kjo e konfirmuar edhe në raportet vjetore të AMA.
Për pasojë, ndikimi që këto materiale kanë mbi publikun është rritur ndjeshëm, por jo domosdoshmërisht edhe përgjegjshmëria editoriale apo profesionalizmi në raportim.
Në kuadër të këtij artikulli është vëzhguar peizazhi mediatik online për periudhën 1 prill-1 maj, për të kuptuar mënyrën se si funksionon prodhimi i lajmit në portalet shqiptare dhe cilat janë praktikat më të përhapura të raportimit.
Një nga fenomenet më të hasura rezulton përdorimi masiv i teknikës së ashtuquajtur “lajmi i fundit”, ku publikohen vetëm titulli dhe një ose dy fjali të përgjithshme, pa informacion të plotë, pa burime të identifikuara dhe shpesh pa asnjë element sqarues mbi ngjarjen.
Në shumë raste, materiali shoqërohet me shprehje si “priten detaje”, “mësohet se” apo “raportohet paraprakisht”, ndërsa përditësimi i informacionit bëhet me shumë vonesë, në varësi të klikimeve dhe shpërndarjes në rrjetet sociale.
Vëzhgimi evidenton gjithashtu se një pjesë e konsiderueshme e portaleve publikojnë materiale të paverifikuara në kohë reale, kryesisht gjatë ngjarjeve kriminale, aksidenteve apo zhvillimeve politike, duke zgjedhur shpejtësinë ndaj saktësisë së informacionit.
Një tjetër praktikë e konstatuar është riprodhimi i të njëjtit lajm nga dhjetëra portale njëkohësisht, shpesh me ndryshime minimale në titull apo hyrje. Në shumë raste mungon citimi i burimit origjinal, ndërsa i njëjti informacion qarkullon paralelisht në disa media pa verifikim të pavarur.
Po ashtu, gjatë monitorimit janë evidentuar tituj me natyrë emocionale apo alarmuese, të ndërtuar kryesisht për të gjeneruar klikime dhe reagime në rrjetet sociale.
Në një pjesë të rasteve, përmbajtja e artikullit nuk përputhet plotësisht me titullin, duke krijuar deformim të informacionit dhe konfuzion te publiku.
Emrat e gazetarëve mungojnë në pjesën më të madhe të artikujve, gjë që lidhet drejtpërdrejt me pamundësinë për të kërkuar përgjegjës.
Një nga fenomenet më problematike të konstatuara gjatë monitorimit lidhet me publikimin e artikujve në portale anonime, ku hidhen akuza të drejtpërdrejta ndaj personazheve të politikës, drejtësisë, biznesit apo botës së krimit, shpesh me emër dhe mbiemër, por pa referenca të qarta, dokumente mbështetëse apo burime të identifikueshme.
Në shumë raste, këto materiale ndërtohen mbi pretendime, aludime apo informacione të paverifikuara, duke ngritur dyshime se një pjesë e përmbajtjeve përdoren si instrument presioni apo shantazhi mediatik. Për shkak të mungesës së transparencës mbi pronësinë dhe strukturën editoriale të këtyre portaleve, mbetet e paqartë se çfarë lidhjeje kanë autorët e këtyre publikimeve me informacionin që pretendojnë të disponojnë, si dhe mbi çfarë standardesh profesionale mbështetet publikimi i tyre.
Megjithatë, pavarësisht mungesës së kredibilitetit apo përgjegjësisë editoriale, këto portale kanë arritur të krijojnë audiencë dhe ndikim në rrjet, duke u kthyer për një pjesë të qytetarëve në burim informimi.
Në një treg ku lajmi prodhohet me shpejtësi industriale, ndërsa përgjegjësia mbetet e paqartë, media online shqiptare po krijon një realitet të ri informimi: një hapësirë ku publiku konsumon më shumë lajme se kurrë më parë, por ku bëhet gjithnjë e më e vështirë të dallosh informacionin e verifikuar nga manipulimi, propaganda apo përmbajtja e sajuar.
