Propaganda e shfrenuar e rilindjes po përpiqet këto ditë të argumentojë, me pasion dhe me zell, se vendimi ekstrem që mori opozita kishte vetëm një qëllim: të shpëtonte Saliun dhe familjen e tij, Monikën dhe shtëpinë e saj, Lulin si derivat i tyre, nga reforma në drejtësi që po i afrohet mbi krye si shpata e Demokleut.
Natyrisht, është qesharake të fillosh e të argumentosh se kjo është një gënjeshtër e madhe. Deklarata të tilla të bëra në makth dhe nxitim nuk i’a vlen ti komentosh nëse do të ruash seriozitetin.
Por, ajo që më bëri ti rekthehem këtyre qëndrimeve është tjetër gjë. Pasi, paradoksalisht e vërteta qëndron 180 gradë në karhun tjetër. Pra, se djegja e mandateve, jo vetëm nuk po bëhet për të penguar reformën në drejtësi, por ajo duhet parë si përpjekja e mbarame për t’a mbajtur në jetë një foshnje që me gjasë ka lindur e vdekur.
Pra, braktisja përfundimtare e parlamentit, e shoqëruar me kërkesën për një qeveri tranzitore, do të qe rruga e vetme për të ruajtur atë që u sponsorizua dhe u mbështet nga ndërkombëtarët si shpëtimi i Shqipërisë.
Le të jemi të qartë për të mos krijuar asnjë keqkuptim. Unë jam një nga ata që mendojnë se në këtë betejë nuk ka ëngjëj dhe djaj. Se të gjitha palët janë njësoj. Se as PD, as LSI dhe as PS nuk duan një drejtësi të ndershme dhe të pavarur. Të gjithë ata do të humbnin po njësoj nga ajo.
Por fati e deshi që në kohën që eksperimendi ndërkombëtar me prokurorinë dhe gjykatat shqiptare po konceptohej dhe vihej në zbatim, Rilindja të kishte në duar të gjitha levat e pushtetit, ndërsa opozita të mbante çelsat e kashtës.
Pikërisht kjo krijoi një tjetër paradoks. Ndërsa qenë socialistët që e minonin realisht reformën e dëshiruar nga ndërkombëtarët, ishite opozita që mori damkën e armikes së saj, vetëm e vetëm sepse u vu në pozicionin e denoncueses së shkeljeve dhe akteve të kapjes së drejtësisë.
Por ndërkohë që Basha thërriste “ujku…ujku” çakenjtë e pushtetit bënin kërdinë.
Eshtë e kot të përmendësh tani mënyrën si u fut në thes Prokuroria e përgjithshme, si u përdor ajo për të fshehur krimet politike, se sa banditë janë liruar këto kohë nga burgu, sesa sa ka fituar abuzivizmi i qeverisë nga mungesa e gjykatës kushtetuese, se sa selektiv ka qenë procesi i vettingut, që i ka shndërruar në lolo përfaësuesit e OMN etj.
Të gjitha këto fakte të përmendura e të stërpërmenduara dëshmojnë për një gjë, se edhe nëse qëllimi i ekspertimentit të ndërkombëtarëve ka qenë i pa qortueshëm moralisht (pra jo siç e përshkruajnë konspirativistët që shohin skenarë me Soros dhe me dhe me flukse parash që blenë Lu-në dhe Vlahutinin), pra edhe nëse ky synim ka qenë i drejtë, ai tashmë ka përfunduar në një rrugë të shtrembër.
Dhe kjo për faktin e thjeshtë se nuk mund të ndodhte ndryshe në një vend ku të gjitha pushtetet i ka në dorë një njeri i vetëm.
Dhe këtu i rikthehemi tezës kryesore të këtij shkrimi: asaj se djegja e mandateve, si mjet për të kërkuar një qeveri teknike, është lëvizja e vetme për të shpëtuar atë çka mund të shpëtohet nga reforma në drejtësi. Sepse ajo e zhvesh atë nga pesha dhe trysnia e atyre që një projekti të konceptuar në Uashington dhe Bruksel i dhanë fytyrën e Arta Markut dhe Donika Plelës.
Pra, çuditërisht, të gjithë ata ndërkombëarë që sot po e anatemojnë, fshikullojnë dhe godasin opozitën, tezën e saj e kanë garancinë më të madhe nëse duan që reforma në drejtësi të ketë sukses.
Sepse ky sukses nuk mund të arihet kurrë në sfondin e një qeverisje ku shteti dhe pushteti janë bërë njësh, ku asgjë nuk vendoset pa dhënë visto vëllai “katolik” i Erdoganit.
Pra një kryeministër “I dobët”, një qeveri që nuk do guxonte të kapërcente detyrat e saj kushtetuese, një shumicë që nuk do i fuste hundët edhe atje ku si takon, do të krijonte mundësi më të madhe pune për organet e ngritura të reformës.
Por, kjo gjë nuk bëhet pa rënë Rama dhe piramida e tij autoritare.
Natyrisht, që kush dëgjon këtë konkluzion i ka gati kundër argumentat: Po si mund t’i kërkohet kjo kryeministri të ligjshëm? Po a matet dot se çfarë precedenti krijohet? Po a nuk hap kjo rrugën që gjithkush të thotë nesër “ose lësho vendin, ose i dogja mandatet?
Në fakt, të gjitha këto pyetje kanë doza të mëdha të së vërtetës dhe mund të përbënin objekt diskutimi në një shoqëri demokratikisht normale.
Por, kur kemi pranuar t’i nënshtrohemi një reforme të pa precedent të sistemit tonë të drejtësisë, ne, kemi gëlltitur bashkë me të edhe dështimin 30 vjeçar të modelit që kemi ngritur. Ne bashkë me të kemi pranuar shkelje të pa paranueshme të të drejtave të njeriut, një big brother gati oruellian të kontrollit të njerzve të drejtësisë, një nënshtrim gati turpërues të deputetëve, para ambasadorëve. Dhe të gjitha këto “sakrifica” janë bërë të nisura nga narrativa e vetme se kjo reformë amerikano- europiane, do të na shpëtojë nga Shqipëria e djeshme dhe do “të hedhë themelet” e asaj të nesërme.
Të gjitha këto privime u pranuan me gëzimin dhe shpërfilljen me të cilat i drejtohemi një feste. Tani, që kjo festë të fillojë të marrë jetë ka mbetur edhe një “kurban” i fundit, rënia e pengesës së vetme që e ka përçudnuar, projektin auro atlantik, largimi i Edi Ramës.
Ndoshta PD dhe LSI, nuk kanë pasur këtë gjë në mendje kur nisën aksionin e tyre, ndoshta ato janë nisur nga motive shumë më të errëta dhe tejet më meskine kur dorzuan mandatet, por ky është thjeshtë gjyqi i qëllimeve të tyre.
Ajo që na intereson është fakti se ndoshta pa dashje, ato i kanë treguar rrugën e vetme dhe shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve që vazhdojnë të shpresojnë tek refoma në drejtësi. Tani i takon atyre të vendosin nëse duhet edhe një “kurban” i fundit, një skarificë më shumë për të mbajtur gjallë atë që u shit si një ëndër e madhe. Rruga tjetër është e njohur: letargjia e pafundme e një regjimi personal.