Kriza e Ukrainës duket se po zhvendoset në Mesdhe, teksa një flotë anijesh ruse i janë afruar aeroplanmbajtëses amerikane “Harry Truman” e vendosur në ujërat italiane dhe ato shqiptare. Anijet ruse kanë filluar të kalojnë kanalin sicilian dhe në total janë gjashtë anije, të afta të zbarkojnë tanke dhe këmbësori në bregdet.
Anijet janë nisur më 15 janar dhe i gjithë lundrimi i tyre është ndjekur nga marina e NATO-s, të cilët ndërroheshin për të mos humbur nga sytë kontingjentin ushtarak. Ata e kanë parë me shqetësim afërsinë ekstreme të dislokimit rus.
“Formacioni i anijeve është duke kaluar transit në ujërat ndërkombëtare dhe nuk cenon sovranitetin e shteteve bregdetare. NATO ka ndjekur lundrimin e grupit detar që nga nisja e tij, e cila u zhvillua në mes të janarit nga portet e Severomorsk (Flota Veriore) dhe Baltijsk (Flota Baltike), dhe do të vazhdojë të monitorojë transitin e tij. As forcat e NATO-s dhe as formacioni detar rus s‘kanë ndërmarrë veprime që mund të përshkallëzojnë situatën”, shkruajnë mediat italiane.
