Shqipëria ka shënuar një tjetër progres në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke mbyllur tre kapituj negociues gjatë konferencave ndërqeveritare të zhvilluara në kuadër të presidencës irlandeze të Këshillit të BE-së.
Në fokus të konferencës ishin katër vende kandidate për anëtarësim: Shqipëria, Ukraina, Moldavia dhe Mali i Zi. Sipas një diplomati të Bashkimit Evropian, dy vende hapën blloqe të reja kapitujsh negociues, ndërsa dy të tjera përfunduan kapituj të rëndësishëm, duke e cilësuar këtë si një zhvillim pozitiv për procesin e zgjerimit të BE-së.
Shqipëria mbylli Kapitullin 25 “Shkenca dhe Kërkimi”, Kapitullin 26 “Arsimi dhe Kultura” dhe Kapitullin 30 “Marrëdhëniet e Jashtme”. Ky është rasti i parë që vendi përfundon kapituj negociues që prej nisjes së procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Ndërkohë, Mali i Zi mbylli dy kapituj që lidhen me politikën e konkurrencës dhe bashkimin doganor, ndërsa Ukraina dhe Moldavia hapën bllokun e gjashtë të kapitujve negociues, që lidhet me përafrimin e politikës së jashtme me atë të Bashkimit Evropian.
Komisioni Evropian kishte dhënë më herët një vlerësim pozitiv për hapjen e kapitujve të tjerë, megjithatë 27 shtetet anëtare ende nuk kanë arritur konsensus për të gjitha blloqet negociuese.
Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, e cilësoi këtë zhvillim si një tjetër hap që i afron vendet kandidate me Bashkimin Evropian, duke theksuar se procesi mbetet i kushtëzuar nga përmbushja e reformave dhe standardeve të kërkuara.
Vendimi vjen vetëm disa javë pasi Këshilli i BE-së konfirmoi se Shqipëria ka përmbushur kriteret e ndërmjetme në fushën e sundimit të ligjit, duke i hapur rrugë fazës së ardhshme të negociatave. Po ashtu, u miratuan edhe standardet përmbyllëse për Grupkapitullin 1 – “Themeloret”, grupi i parë që hapet dhe i fundit që mbyllet në procesin e anëtarësimit.
Qeveria shqiptare synon të përfundojë negociatat deri në vitin 2027, me objektivin që Shqipëria të bëhet anëtare me të drejta të plota e Bashkimit Evropian deri në vitin 2030.
