Në Vlorë, ditë më parë, 48 orë pas shpërthimit kriminal të një sasie eksplozive në mjetin-pronë e prokurorit Kuliçi, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, ashtu si dhe shumë subjekte shtetërore e politike, “lëshoi” në media këtë deklaratë zyrtare :
“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, pas ngjarjes së rëndë dhe kriminale, të ndodhur rreth orës 03.00 të mëngjesit të datës 21.12.2019, si pasojë e shpërthimit të një sasie lënde eksplozive, vendosur në mjetin me targa AA583OO, në pronësi të prokurorit, z. Albert Kuliçi, me detyrë zv/ Drejtues i kësaj prokurorie, si dhe pas analizimit të detajeve të ngjarjes, e konsideron këtë ngjarje si një sulm të drejtuar ndaj këtij prokurori për shkak të funksionit dhe detyrës së tij. Ky është një akt kriminal, i papranueshëm me sistemin tonë të drejtësisë, parimet e Shtetit të së Drejtës, vlerat dhe parimet shoqërore, që synon të cenojë detyrën e tij si prokuror dhe gjithashtu të intimidojë në luftën kundër krimit. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë, dënon rëndë akte të tilla kriminale, të cilat në thelb dëmtojnë rendin dhe sigurinë juridike. Duke mbështetur kolegun tonë në vijim, trupa e Prokurorëve të kësaj prokurorie, në respektim të ligjit dhe parimeve Kushtetuese, do të jetë gjithmonë e pa ndikuar në luftën pa kompromis kundër krimit”.
Por, a mund ta dëmtojë sigurinë juridike në vend, shkatërrimi kriminal me lëndë eksplozive i mjetit të prokurorit Kuliçi ?
Sigurisht që Jo.
Po-ja, as duhej menduar dhe jo më të shkruhej zyrtarisht 48-të orë pas ngjarjes (dmth nuk është as lapsus juridik nga shpejtësia ), nga trupa e Prokurorëve pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë.
Sepse, kjo Siguria Juridike është koncept kushtetues dhe përfshin :
1. qartësinë, kuptueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e sistemit normativ;
2. detyrimin për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë si dhe arsyetimin e vendimeve gjyqësore;
3. të drejtën për një proces të rregullt ligjor;
4. bërjen publike të akteve normative, si dhe
5. ndalimin e fuqisë prapavepruese të normave juridike.
Gjithë këta elementë shërbejnë për ti dhënë individit garancinë, se shteti ligjor i garanton atij një rend juridik të sigurt.
Siguria juridike pra parakupton, vec të tjerash, besueshmërinë e qytetarëve tek shteti dhe pandryshueshmërinë e ligjit për marrëdhëniet e rregulluara.
Ligjvënësi nuk mund të përkeqësojë në mënyrë të paarsyeshme gjendjen ligjore të shtetasve, të mohojë të drejtat e fituara ose të shpërfillë interesat legjitime të tyre.
Pra as më shumë e as më pak, legjislacioni në një shoqëri demokratike duhet të ofrojë siguri, qartësi dhe vazhdimësi juridike.
*Sugjerim.
Për të mos ngatërruar herë tjetër konceptin e Sigurisë juridike me atë të Sigurisë publike, është Shkolla e Magjistraturës, që me moton “bëj duel me paditurinë juridike“, ndër të tjera ofron edhe :
• formimin e vazhduar për gjyqtarët dhe prokurorët në detyrë pranë gjykatave dhe prokurorive të rretheve gjyqësore dhe gjykatave dhe prokurorive të apelit;
• formimin vazhdues për gjyqtarët dhe prokurorët që nuk kalojnë procesin e vettingut.
Mos ngurroni të shkoni.
Jeta është shkollë dhe asnjë nga ne nuk duhet të ketë turp të ulet në bankat e saj.
Është dhe e detyrueshme thotë Ligji.