Në mbledhjen e sotme në Komisionin e Ligjeve, kreu i Prokurorisë, Arben Kraja, ka bërë analizën vjetore të punës në Prokurorinë e Posaçme.
“Nga 746 persona nën hetim, 515 prej tyre janë hetuar me masa sigurimi, ndërsa 231 persona janë hetuar në gjendje të lirë. Nga personat e hetuar me masa sigurimi, 288 prej tyre janë hetuar me masën “arrest në burg”, nga të cilët 257 janë ekzekutuar, ndërsa për 31 persona është vendosur masa e sigurisë “arrest në mungesë”. Masa e sigurisë “arrest në burg” për 198 persona është vendosur për veprat penale që lidhen me krimin e organizuar.
Për 28 persona është vendosur për veprën penale që lidhen me korrupsionin ndërsa për 62 persona është vendosur për veprat penale të tjera. Masa e sigurisë “arrest në shtëpi” është vendosur për 57 persona nën hetim, ndërsa 154 persona janë hetuar me masë detyrim paraqitje, një person me ndalim i daljes jashtë shtetit, dy me garanci pasurore, dy me shtrim të përkohshëm në spitalin psikiatrik”, tha Kraja.
