“Vrapojmë pas arit, se nga ari varet gjithçka. Ah ne të mjerët,”- shkruante Goethe tek Fausti për arin që është gjithnjë atraktiv në kohë krizash. Fjali që shëmbëllen fort mirë atë çka pa ndodh jo vetëm me të huajt por edhe me shqiptarët që kanë nisur të investojnë e të blejnë flori që pas pushtimit të Ukrainës.
Ari, që konsiderohet gjithnjë si strehë e sigurt gjatë kohërave të pasigurisë gjeopolitike dhe inflacionit në rritje, me konfliktin që i shtohet presionit ekzistues, po ‘luan’ rolin e tij tradicional për të gjithë qytetarët që janë përfshirë në ethet e panikut. Operatorët e tregut tregojnë për Gazetasi.al se ditët e fundit qytetarët kanë nisur që të blejnë flori, me një trend tipik ‘më pak, më shtrenjtë’, të nxitur nga lufta që po zhvillohet në Ukrainë.
Edhe pse ka qenë një dekadë sfiduese për sektorin e luksit, bizhuteritë nisën të kishin një bum shitjesh që pas pandemisë dhe tregu i tyre vijon të jetë në zhvillim.
“Shumë qytetarë kanë ardhur të blejnë flori së fundmi dhe përgjithësisht kanë blerë bizhu të kushtueshme në vlerë. Pak a shumë thonë të gjithë të njëjtën gjë, që në këto kohë të pasigurta për ekonominë preferojnë të kenë gjendje në shtëpi. Ky është një trend i njohur për të gjithë shitësit që merren me arin e që ndodh përgjithësisht në kohë krizash ose vështirësish të pritshme ekonomike. Njerëzit duken të trembur dhe shumë prej tyre thonë që më mirë një pjesë të kursimeve që kanë, ta shpenzojnë në flori”, tregojnë për Gazetasi.al shitësit nga argjendari “Zerja”. Nga një tjetër argjendari e vogël në Tiranë, shitësi pohon thuajse të njëjtën gjë dhe liston disa prej arsyeve se përse floriri zgjidhet gjithmonë nga njerëzit në kohë të tilla.
“Edhe unë kam vënë re një trend të tillë ku Shqipëria sërish ndjek botën. Njerëzit me të drejtë zgjedhin të investojnë në flori në kohë luftërash, sulmesh kibernetike apo krizash. Ari është një aktiv fizik, i pranueshëm nga të gjithë, thuajse i padëmtueshëm dhe nuk ka rrezik falimentimi prandaj ai historikisht është konsideruar si një ‘save heaven’.
Gjithashtu ai është provuar si një mbrojtës shumë i mirë inflacioni (inflation hedge) në afate të gjata kohore dhe ndryshe nga instrumentet e borxhit apo aksionet është i pavarur nga politikat që mund të kenë qeveritë. Të gjithë këto elementë kanë ndikuar në dyndjen e njerëzve tek ai herë pas herë”, thotë ai për Gazetasi.al.
