Përfshirja e arkitektëve në listën e profesioneve të rregulluar do të pasohet me rritjen e cilsësisë së këtyre profesionistëve, teksa nga ana tjetër do të sjellë një rritje të tarifave të projektimit.
Në një prononcim për TV SCAN kryetarja e Shoqatës së Arkitektëve të Shqipërisë, Matilda Pando komenton projektligjnin “Për udhrin profesional të Arkitektëve”, që është nxjerrë për konsultim publik nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Pando e cilëson si të vonuar miratimin e këtij ligji, duke qenë se kjo është një prej kërkesave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Sipas projektligjit, për të ushtruar profesionin e Arkitektit, duhet të kryhet regjistrimi në Regjistrin e Arkitektëve profesionistë. Vetëm Arkitektë që janë të regjistruar në Regjistër kanë të drejtë të firmosin si Arkitektë. Në rastin kur Arkitekti i paregjistruar firmos, firma e tij është e pavlefshme. Ndërkohë që, përpara regjistrimit këta profesionistë duhet t’i nënshtrohen Provimit të Shtetit.
Ndërkaq, drafti parashikon edhe masat disiplinore, në rast të shkeljeve të detyrimeve ligjore, që fillojnë që nga paralajmërimi, që konsiston në një vërejtje të shkruar dhe që i komunikohet të interesuarit e deri te fshirja nga Regjistri i Urdhrit Profesional të Arkitektit, që nënkupton heqjen e të drejtës së ushtrimit të profesionit. Nga ky proejktligj parashikohet të preken rreth 3000 arkitektë dhe studio arkitekturore.
