Njësia Operacionale e Policisë Rrugore, Komisariati i Policisë Rrugore Tiranë dhe Sektorët e Policisë Rrugore në DVP-të, duke përdorur dronë, radarë, kamera, aparate fotografike, makina të paloguara, gjatë 48 orëve të fundit, ka çuar në pranga 18 drejtues mjetesh, nga të cilët 10 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 8 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Përgjatë kontrolleve parandaluese të alternuara, me qëllim konstatimin dhe verifikimin e shkeljeve që janë burim për aksidentet rrugore, efektivët e Policisë Rrugore të Tiranës kanë goditur një tjetër rast të mitëdhënies, në rrugën “Dritan Hoxha”, ku drejtuesi i një motomjeti, shtetasi M. S., për të shmangur masën administrative pasi kishte kaluar me semafor të kuq, iu ka ofruar punonjësve të Policisë, 2500 lekë të rinj.
Në Bypass-in e Fierit, në aksin Fier-Vlorë, janë konstatuar me radar, nga shërbimet e Policisë Rrugore të DVP Fier, dy automjete, një “Land Rover” që drejtohej nga shtetasi B. S., nga Tirana, i cili qarkullonte me shpejtësi 194/km/h dhe një “Benz” që drejtohej nga një shtetas kosovar M. I., me banim në Zvicër, i cili qarkullonte me shpejtësi 191 km/h. Të dy drejtuesit e mjeteve nuk i kanë ndaluar patrullës së Policisë Rrugore me radar, por janë kapur nga shërbimet e Policisë Vlorë dhe janë ndëshkuar me masë administrative me nga 48.000 lekë të rinj secili.
Në rrugën interurbane Tiranë-Durrës, shërbimet e Policisë Rrugore të Tiranës kanë konstatuar me radar, mjetin tip “Benz” që drejtohej nga shtetasi B. K., nga Tirana, i cili qarkullonte me 160 km/h. Drejtuesi është ndëshkuar me 10.000 lekë të rinj gjobë, pezullim të lejes së drejtimit 3 muaj dhe zbritje pikësh nga patenta.