Policia
e Kosovës ka vënë në pranga biznesmenin, Imer Shahini i cili është kushëriri i
ministres së Arsimit në Shqipëri, Besa Shahini.
Shahini prej disa vitesh është shpallur në kërkim ku e përfshirë është edhe
FBI-ja amerikane. Ai njihet si një person shumë i fuqishëm dhe me ndikim në
Kosovë. Gjithashtu njihet si miku i ngushtë i zëvendës kryeministrit të
Kosovës, Enver Hoxhaj.
Sipas policisë kosovare, Shahini, i kërkuar edhe nga Shtetet e Bashkuara të
Amerikës, është arrestuar të martën në Fushë Kosovë nën akuzat se ka kryer
mashtrime milion euroshe. Pas procedurave të arrestimit të tij, Imer Shahini
pritet që të ekstradohet drejt SHBA-së.
Imer Shahini, vëllai i Remzie Shahini-Hoxhës, bashkëshortes së zv/kryeministrit
Hoxhaj, është në mesin e shtatë personave të akuzuar nga FBI-ja për përfitim të
jashtëligjshëm dhe mashtrim në Distriktin Jugor të New York-ut. Kosovari,
në bashkëveprim me gjashtë persona të tjerë, disa prej tyre tashmë të
arrestuar, akuzohen se ilegalisht kanë përfituar 20 milionë dollarë përmes mashtrimeve.
Aksioni i Policisë së Kosovës, i cili nisi me arrestimin e Imer Shahinit të
martën, ka vazhduar edhe të mërkurën. Një ditë pas arrestimit të Shahinit,
Policia ka arritur të arrestojë edhe Binak Gjergjajn dhe Ramiz Borduniqin, po
ashtu të kërkuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).
Binak Gjergjaj, nga Klina, dyshohet për vrasjen dhe zhdukjen e trupit të gruas
së tij në Amerikë, disa vite më parë. Ndërkaq, Ramiz Borduniqi, akuzohet
nga autoritetet amerikane për mashtrime milionëshe me trafikim të
narkotikëve. Imer Shahini akuzohet për përfshirje në një skemë mashtrimi
milionëshe.
Skema
e mashtrimit në të cilën ishte përfshirë Shahini, parashihte që fshehurazi të
merreshin nën kontroll miliona aksione të kompanisë ‘Gerova Financial Group
Ltd’, të cilat fshehurazi do të duhej edhe të shiteshin.
Plani parashihte që gjysma e këtyre aksioneve t’i kalonin në pronësi Shahinit.
E për tu realizuar kjo skemë, Vëllezërit Galanis, po ashtu të akuzuar nga
FBI-ja për mashtrim dhe përfitim të jashtëligjshëm, ishin përkujdesur t’ia
hapnin një llogari Shahinit, ‘Shahini Accounts’, ku do të kaloheshin aksionet e
shitura fshehurazi në mënyrë që në ‘Gerova’ të mos vihej re se kush ishte
pronari i vërtetë i tyre.
Rrjedhimisht, njeri prej vëllezërve Galanis, Jason, do të vazhdonte ta mbante
nën kontroll kompaninë ‘Gerova’ duke përfituar gjithashtu miliona para dhe duke
vazhduar ta kontrollonte tregun edhe nga shitja e stoqeve të Gerova-s. Deri në
fund të kësaj kurdisjeje, ky grup përfitoi përmes mashtrimit 20 milionë dollarë.
Imer
Shahini, i cili është kunati i zv/kryeministrit Enver Hoxhaj, prej disa vitesh
është kthyer në vendlindjen e tij dhe banon në Prishtinë.
Në kryeqytetin kosovar, Imer Shahini figuron të jetë bashkëpronar i kompanisë
‘Dorian & Pan Illyrian Partnership’. Ortaku i tij në këtë firmë është një
nga bashkëpunëtorët e tij edhe në skemën e mashtrimeve që e ka hetuar FBI-ja,
Jason Woodruff Galanis.
Sipas asaj që thuhet në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të
Kosovës(ARBK), kjo kompani merret me shërbimet e ndërmjetësimit për letra me
vlerë dhe kontrata të mallit, nxjerrjet e naftës së papërpunuar dhe me
aktivitete mbështetëse për nxjerrjen e naftës.