Policia e Kosovës ka arrestuar edhe një person tjetër në lidhje me vrasjen Visart Cengut dhe plagosjen e Rufgen Shehut, dy të rinjve nga Kukësi, ngjarje e ndodhur para katër ditësh në Prizren, në lokalin “Kobra City”.
Ende nuk dihet se kush është personi i arrestuar dhe roli që ai ka patur në krim. Kujtojmë se në lidhje me rastin në fjalë është arrestuar si i dyshuar kryesor pronari i lokalit “Kobra City”, Dibran Hoxhaj.
“Kobra” dyshohet për veprat penale, vrasje të rëndë, mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe manipulimi me prova.
Gjithashtu, janë arrestuar edhe pesë të dyshuarit e tjerë: Enver Amrllahi, 35-vjeç; Jesmir Badallaj 46-vjeç; Burim Mazreku 28-vjeç; Arben Vezaj 38-vjeç; Kujtim Gashi 39-vjeç, po akuzohen për veprën penale “pjesëmarrja në rrahje”.