Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri, ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit të Kishës Ortodokse, Anastas Janullatos. ”Shprehim dhimbjen tonë të thellë për ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Anastasit. Besimi i tij i fortë dhe përpjekjet e palodhura në nxitjen e bashkëjetesës së paqtë në Shqipëri do të mbahen mend gjithmonë. Kontributet e tij le të frymëzojnë brezat e ardhshëm”.
Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë bëri me dije se Imzot Janullatos ndërroi jetë në spitalin “Evangelismos” në Athinë, ku ishte i shtruar pas përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore. Janullatos ishte Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse të Shqipërisë që prej vitit 1992. U nderua me 27 medalje e çmime dhe në vitin 2000 u propozua për Çmimin Nobel.
Trupi i Kryepeshkopit të Kishës Ortodokse të Shqipërisë, Anastas Janullatos, do të prehet në vendin tonë, pasi ky ishte edhe amaneti i tij. Prej vitit 1992 ai ka jetuar në Shqipëri, ku edhe ka drejtuar Kishën Ortodokse dhe gjithmonë e ka shprehur dëshirën që trupi i tij të prehet në vendin tonë.