“Kam bërë shtatë kallëzime për vëllanë dhe kunatën. Armën e kam patur me leje. Kallëzimin e fundit e kam bërë ditën e vrasjes”, tha autori i vrasjes së Dritan dhe Nora Muskurtit, dy ditë më parë në Tiranë. Po ashtu Arsen (Hamza) Muskurti ka përshëndetur mediat nga salla e gjyqit. Për të u dha masa e sigurisë “arrest me burg”.
Avokati i Arsenit, ka bërë me dije se autori i krimit të rëndë në të vërtetë është vetëdorëzuar dhe jo arrestuar, siç u deklarua nga Policia e Shtetit. Në një prononcim për mediat, avokati tha se ai bashkë me Muskurtin kanë shkuar bashkë në ambientet e komisariatit, ndërsa armën e krimit e kishte me leje. Po ashtu avokati kërkoi 30 ditë kohë për të bërë një akt për gjendjen psikike.
Prej më shumë se 1 viti vëllezërit Muskurti ishin në një përballje gjyqësore për një shumë të konsiderueshme financiare në lidhje me pronësinë e një agjencie turistike, të krijuar bashkë vite më parë. Në këtë proces civil viktima Dritan Muskurti në rolin e paditësit, kërkonte nga vëllai i tij Arsen, kthimin e një shumë prej më shumëse 17 milionë lekësh të rinj.
“Detyrimi i të paditurit t’i kthejë paditësit shumën prej 17.3 milionë lekë si dhe interes mbi këtë shumë nga data 01.10.2018 deri në ekzekutimin e detyrimit”, thuhej në objektin e padisë. Ky proces kishte nisur në janar të vitit të kaluar në Gjykatën e Tiranës, ndërsa seanca e radhës ishte caktuar në 27 shtator.
