Nga Klementina Cenkollari
Pandemia COVID-19 vijon të sfidojë ndjeshëm sistemin tonë arsimor.
Prej gati një viti, arsimi konsiderohet si një ndër fushat më të prekura nga pandemia ku veç të tjerash vijon të mbajë në paqartësi mijëra mësues, nxënës dhe prindër.
Ndonëse institucionet arsimore në Shqipëri testuan platformat e mësimit online, mësues dhe akademikë shprehin rezerva për efikasitetin e zhvillimit të procesit në këtë formë, ndërkohë që barra më e rëndë u bie nxënësve, veçanërisht në zonat rurale dhe prindërve të tyre që duhet të përballojnë vështirësitë dhe kostot shtesë.
Nga një vëzhgim në disa shkolla të kryeqytetit, rezulton se ndonëse mësimi zhvillohet me turne, orare të shkurtuara dhe me maska, ende vazhdon të jetë e madhe frika nga infektimi me Covid-19.
“Me rritjen e rasteve tani nuk do të ishte gjë e zgjuar vijimi normal i mësimit sepse do shtohen rastet edhe më tej”, thotë një prej nxënësve në kryeqytet.
Nga ana tjetër, ka edhe nga ata prindër që pavarësisht se pranojnë problemet e mësimit me turne dhe online, vlerësojnë menaxhimin nga stafi mësimor.
I tillë është dhe rasti i Ledionës dhe i vajzës së saj Uendi, nxënëse në klasën e 7-të në shkollën “4 Dëshmorët” në Tiranë.
“I kam ndjekur të gjitha lëndët, nuk kam pasur asnjë vështirësi”, shprehet Uendi.
“Për momentin çështja kryesore është shëndeti. Ai që ka provuar problemet me pandeminë e di se çfarë është. Kështu që primare është shëndeti e më pas gjërat e tjera”, thotë Lediona.
Megjithë hezitimin dhe pasigurinë nga pandemia, ka edhe nga ata mësues që e konsiderojnë të rëndësishëm kontaktin e drejtpërdrejtë me nxënësit.
Ata vlerësojnë se procesi mësimor në distancë është më i ndërlikuar ku sipas tyre vështirësitë më të mëdha janë për lëndët si fizika, kimia, biologjia, apo dhe edukimi fizik.
“Ne mësuesit e fiskulturës nuk jemi mësuar të bëjmë mësimin në klasë, i kemi shumë të rralla teoritë. U bë nga shtatori e këtej që vetëm orë teorike. Nëpër klasa mund të zhvillojmë. Është e domosdoshme , por jo deri në këto përmasa që ne na ka bllokuar e nuk bëjmë dot një orë mësimi në terren , thotë Ramazan Konçi.
Ne iu drejtuam edhe Ministrisë së Arsimit e Sportit për të marrë një përgjigje në lidhje me disa nga pikëpyetjet që nxënësit, prindërit dhe mësuesit na deklaruan, por megjithë insistimin prej 30 ditësh, ky institucion zgjodhi të heshte duke mos dhënë asnjë përgjigje.
Ndërsa eksperti i arsimit, Ndriçim Mehmeti, bën një panoramim të gjendjes duke sjellë edhe rekomandimet përkatëse.
“Mësuar se çfarë ishte Covid-19, nga muaji qershor e këtej do të duhet të kishim marrë masat që mësuesit të vinin e të jepnin mësim këtu me klasa bosh, por me kamera me rezolucion të lartë e me aparate që ofrojnë ndërveprim. Pra nëse ti do të bëje, fjala vjen, një eksperiment kimik, ta bëje në kamera, nxënësit ta shikonin, dhe aty tek dërrasa do të kishe portretet e nxënësve në dritare të vogla siç kanë platforma të ndryshme dhe ata fillonin e ngrinin dorën dhe kërkonin fjalën. Pra ka humbur ndërveprimi. Ne thjesht japim vetëm leksione, dhe ata i marrin të mirëqëna dhe thonë Po”, thotë Mehmeti.
Në një kohë që ende nuk ka nisur vaksinimi i moshave të reja apo dhe i vetë mësuesve që krahas mjekëve janë më të riskuarit, fjalën e fundit për ecurinë e mëtejshme duket se do e kenë sërish epidemologët. Prof. Assoc. Fabian Cenko, Epidemiolog dhe Pedagog pranë Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” është i mendimit se në një situatë kur rastet zyrtare kanë kaluar 1000, një mbyllje e fortë dhe energjike të paktën 2 javore do të duhet të merret.
“Unë mendoj që këto raste do të vazhdojnë të rriten. Kështu që ndoshta një mbyllje e fortë dhe energjike, të paktën 2-3 javore do të duhej për t’i dhënë njerëzve ndjesinë që realisht do të duhet të fillojnë që të adaptojnë disa masa më energjike”, thotë Prof. Assoc. Fabian Cenko,
Një publikim i Kombeve të Bashkuara mbi COVID-19 ka vlerësuar se pandemia imponoi mbylljen e shkollave në 188 vende të botës, duke cënuar të drejtën për arsim të më shumë se 1.5 miliardë fëmijëve.
Teksa shume vende e kane zgjidhur këtë çështje, Ministria e Arsimit në vendin tonë duket se ende nuk është e qartë për një strategji efikase mbi menaxhimin e situatës, edhe pse pandemia po thellon çdo ditë e më shumë hendekun mes shkollës dhe nxënësve, veçanërisht tek ata në zonat rurale.
Shënim: Podcasti është prodhuar në kuadër të projektit “Nxitja e Edukimit për Median dhe Informacionin dhe Fuqizimi i Medias së Pavarur në Ballkanin Perëndimor”. Përmbajtja nuk shpreh qëndrimet e partnerëve mbështetës të këtij produkti mediatik.
