Në një rezolutë të miratuar këtë të hënë, Asambleja Politike e Partisë Popullore Europiane i bën thirrje qeverisë dhe opozitës në Shqipëri që të ndërmarrë çdo përpjekje për të kapërcyer menjëherë krizën kushtetuese dhe politike.
PPE vlerëson si jetike rëndësinë e zgjedhjeve të lira në përparimin në procesin e integrimit dhe vlerëson legjislacionin zgjedhor të miratuar në mënyrë konsensuale, por denoncon ligjet e mëvonshme të qeverisë që shkelën marrëveshjen e 5 qershorit.
Asambleja Politike e PPE nxit Kuvendin e Shqipërisë që t’i bindet dhe të zbatojë menjëherë opinionin e kërkuar nga Komisioni i Venecias për ndryshimet kushtetuese dhe ligjore lidhur me zgjedhjet e 25 prillit.
Po ashtu, i bën thirrje që të ndiqen penalisht, të dyshuarit, ku përfshihen edhe zyrtarët e partisë në pushtet, në blerjen dhe manipulimin e votave.
Rezoluta nxit autoritetet për të luftuar paratë e investuara në projektet e ndërtimit në rastet e Bashkisë së Tiranës. Për Asamblenë politike të PPE-së, funksionimi normal i Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Larta dhe institucioneve të tjera të drejtësisë është i domosdoshëm dhe urgjent.
Asambleja ka shpreh mbështetjen për Partinë Demokratike në përpjekjet e saj për të adresuar shqetësimet dhe për të mbështetur aspiratat europiane.
