Nga Astrit Patozi
Por mbi të gjitha, mendoj se do t’ia vështirësonte shumë misionin Edi Ramës dhe Lulzim Bashës për ta mbajtur me thonj statuskuonë e listave të mbyllura, si thelbi i një pushteti okult dhe të pamerituar që është keqpërdorur për më shumë se 10 vjet. Koha i ka dhënë të drejtë Ilir Metës, i cili asokohe ishte në grevë urie për ta kundërshtuar kryetarokracinë, ndërsa unë kam qenë njëri prej atyre që e kanë votuar atë gabim historik, edhe pse nisur nga një qëllim i mirë.
Por politika është dinamike dhe askush nuk mund të mburret për një meritë të dikurshme dhe as të mbajë në shpinë një faj për gjithë jetën. Jo thjesht ngaqë “koka e falur nuk pritet”, por edhe sepse ka gjithmonë kohë dhe mundësi për t’i ndrequr problemet e shkaktuara nga vendimmarrje të gabuara. Ka vetëm një kusht për të qenë i besueshëm: që, si ndjesa, ashtu edhe distancimi, duhet të bëhen pa hipokrizi.