Ditën e djeshme kanë hyrë në Shqipëri përmes doganës së Kakavijës dy emigrantë shqiptarë të cilët kishin kollë dhe temperaturë të lartë, shenja këto të koronavirusit.
Ardhja e tyre si këmbësorë nga shteti fqinj, vendosi në alarm Njësinë Vendore të Kujdesit Shëndetësor dhe Inspektoriatin Shtetëror Shëndetësor, të cilët janë vendosur pikërisht në këtë pikë kufitare.
Emigrantët R.S. dhe A.S 60 dhe 30 vjeç at e bir sapo hynë në territorin shqiptar, kishin shenja dyshuese të virusit të rrezikshëm dhe menjëherë i’u nënshtruan kontrollit rutinor nga inspektorët e stacionuar në Kakavijë.
Njeri prej tyre 30 vjeçari A.S. kishte kollë, dhe temperature trupore 38 gradë. Në këto kushte, ata janë karantinuar deri ne marrjen e tamponeve me kampionet e sekrecioneve në hundë e gojë.
Menjëherë tamponet janë nisur drejt kryeqytetit dhe në orët e para të mëngjesit të sotëm, përgjigja nga laboratori qendror në Tiranë ka rezultuar negativ duke hequr çdo dyshim të prekshëm për Coronavirus. Dy emigrantët ndërkaq janë lënë të lirë të udhëtojnë drejt Beratit.
Deri tani për fat të mirë koronavirusi nuk është shfaqur në Qarkun e Gjirokastrës ndonëse me rastet e sotme, ka shkuar ne 10 numri i të dyshuarve që i janë nënshtruar analizave.
