Krimi ka goditur sërish në rrugët e vendit ku mbrëmjen e djeshme, kryeqyteti u trondit nga të shtëna armësh. Gjatë orëve të vona të mbrëmjes së djeshme, në aksin Tiranë-Durrës, tek mbikalimi i Rinasit në Tiranë, u krye një atentat, viktimë e të cilit mbeti Iljaz Çali, 37 vjeç.
Ai u ekzekutua nga autorët brenda në makinën e tij. Ngjarja e rëndë raportohet se ka ndodhur rreth ores 10:30 të mbrëmjes, ndërsa viktima ishte duke udhëtuar me një makinë tip “Land Rover” me targa AB 988 AS.
Sipas sqarimeve të policisë, autori/ët kanë qëlluar në drejtim të makinës me të cilën udhëtonte Iljaz Çali, i cili si pasojë e plumbave mbeti i pajetë.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur disa gëzhoja, megjithatë deri në këto momente autorët janë zhdukur pa lënë gjurmë.
Por kush është viktima e këtij atentati?
Mësohet se Çali nuk është një emër i pa njohur për policinë. Në vitin 2016, ai u shpall në kërkim për kultivimin e një sasie të madhe bimësh narkotike, përafërsisht rreth 700 rrënjë.
Dyshimet më të forta janë se atentati ndaj viktimës është kryer për larje hesapesh për shkak të aktivitetit kriminal që ai ishte marrë.
