Një atentat me armë zjarri ndodhi ndaj Diego Hanajt mbrëmjen e sotme në lagjen “Pavarësia”, në Vlorë. 36-vjeçari Hanaj ishte duke ecur në këmbë në momentin që është qëlluar me armë nga persona ende të paidentifikuar, ndërsa një plumb e ka kapur në dorë.
Burime për mediat bëjnë me dije se njëra pistë e hetimit ka të bëjë me faktin se i ati i 36-vjeçarit ka qenë i përfshirë në një vrasje, disa vite më parë.
Ndërsa pista tjetër është lidhja familjare e Hanajt me vëllezërit Ibrahimaj, pasi 36-vjeçari është kunat me Brahimajt (Isuf Brahimaj, u ekzekutua me shpërthim eksplozivi në vitin 2014).
Ndërkohë, policia ka gjetur 4 gëzhoja në vendin e ngjarjes dhe po kreh zonën për të bërë të mundur kapjen e autorit/ve.
Kush janë Brahimajt?
Isuf Brahimaj ishte dënuar me burg për trafik droge në Belgjikë. Gjykata e Anversës e ka dënuar dënoi me katër vite burg dhe 8250 euro gjobë tre shqiptarë sepse kishin asistuar në importimin e 23 kile drogë nga Amerika Latine nëpërmjet portit të Anversës.
Autoritetet doganore zbuluan drogën më 6 qershor 2009 në një kontejner frigorifer që mbante banane dhe që vinte nga Amerika e Jugut. Droga iu dorëzua personave por policia mbante nën vëzhgim anijen. Më 8 qershor zbuluesit panë katër njerëz që i rrinin rrotull kontejnerit. Njëri prej tyre e hapi, ndërsa tre të tjerët e dërguan drogën në makinën e tyre. Policia arrestoi Isuf Kokajn (Brahimaj, 38), Indrit Kulaj (19) Flamur Lamaj (39) ndërsa një i katërt ia mbathi, duke i shpëtuar policisë.
Veç këtij rasti mësohet se Brahimaj ka vuajtur në Itali edhe një dënim prej 8 vitesh burg. Brahimaj i shpëtoi edhe një atentati të rëndë vitin e kaluar, në të cilin shpëtoi pa marrë dëmtime serioze. Gjithashtu edhe i vëllai i tij Ermal Brahimaj, i njohur ndryshe si Bashkim Brahimaj i ka shpëtuar më 31 gusht të 2013-s një atentati që ka ndodhur në po të njëjtin vend. Dëshmitarët treguan për policinë se shpërthimi ndodhi sapo mjeti tip “Mercedez- Benz” ishte futur në një lavazh dhe drejtuesi i mjetit doli nga automjeti. Nga ai mori plagë të ndryshme pa rrezik për jetën.
Eksplozivi ishte vendosur tek motori dhe dyshohet se është aktivizuar përmes telekomandimit dhe moskoordinimi i kohës ka bërë që ajo të shpërthejë në momentin kur pronari i saj sapo kishte dalë nga automjeti. Për atentatin e vitit 2013, policia ka vënë para akuzës vrasësin me pagesë Julian Sinanaj, i cili nuk ka bërë të ditur emrat e porositësve të vrasësve.
