Për kreun e grupit parlamentar socialist Taulant Balla deputetja holandeze Madeleine van Toorenburg, që ka hartuar raportin për rikthimin e vizave për shqiptarët është mike e Lulzim Basha.
I ftuar në “Nevvs 24”, Balla thotë se deputetja në fjalë ka mbajtur gjithmonë qëndrim kundër ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve.
“Mike e ngushtë e Bashës e cila në mënyrë të përsëritur ka pasur një qëndrim negativ ndaj Shqipërisë dhe komunitetit shqiptar në Holandë. Ajo që më bën përshtypje është se ka marrë një rëndësi këtu në Shqipëri pavarësisht se nuk ka për të ndodhur kurrë, që BE që është organizata e vendeve anëtare të marrin vendim për t’iu përgjigjur kësaj kërkese që ka ardhur nga deputetja dhe ka marrë votën e një grupi të madh deputetësh, kryesisht nga parti të ekstremit të djathtë, në një frymë elektorale që paraprin zgjedhjet e majit”, tha Balla.
Këtë lëvizje të deputetes holandeze Balla e ka lidhur me populizmin në rritje në Europë, shqetësim që sipas tij është shprehur dhe në partitë e majta evropiane.
“Populistët po përdorin çdo lloj mekanizmi, përfshi dhe rastin në fjalë për denigrimin e padrejtë të popullit shqiptar lidhur me këtë rezolutë. Nuk qëndrojnë asnjë nga argumentat që mund të kërkohet nga BE vendosja e përkohshme të një sistemi të vizave”, vijoi Balla.